Avokati i Popullit publikoi Raportin lidhur me pamundësinë e përfitimit të pensionit kontributpagues të moshës për kategorinë e qytetarëve që janë larguar nga puna gjatë viteve të ’90-ta

06/04/2018

Avokati i Popullit i ka publikuar Raportin me Rekomadime për Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe ministrive përkatëse, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes mbi nevojën e rregullimit pozitiv të pensionit kontributpagues për kategorinë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë punuar para vitit 1999 dhe nuk e kanë arritur kohën e stazhit pensional prej 15 viteve, pa fajin e tyre, për shkak të largimit diskriminues nga puna, në kohën e masave të dhunshme të vendosura në Kosovë.

Në kuadër të autorizimeve ligjore dhe kushtetuese të tij, Avokati i Popullit në vazhdimësi ka trajtuar problemet dhe sfidat e pensionistëve në Kosovë, përfshirë edhe kategorinë e pensionistëve kontributpagues që kanë punuar para vitit 1999, por që nuk e kanë arritur stazhin pensional prej 15 viteve, si kriter kryesor për përfitimin e pensionit kontributpagues.

Kategoria e qytetarëve që kanë punuar para vitit 1999 dhe nuk e kanë arritur stazhin pensional prej 15 viteve për shkak të largimit nga puna në kohën e vendosjes së masave të dhunshme, të vendosura në Kosovë pas suprimimit të autonomisë në vitin 1989, paraqesin sfidën kryesore për trajtim nga shteti i Kosovës.

E drejta e qytetarëve për të përfituar pensionin kontributpagues për periudhën e punës para vitit 1999 konsiston në një kolizion midis ligjit që ka përcaktuar kriterin e përfitimit të këtij lloji të pensionit, me parimet që lidhen me të drejtat themelore të njeriut, përkatësisht të drejtën e mbrojtjes së dinjitetit njerëzor, të drejtës për të mos u diskriminuar dhe obligimet pozitive të shtetit, në raport me të drejtat e qytetarëve të tij.

Për këto arsye dhe duke u bazuar në detyrimet kushtetuese dhe obligimet pozitive që shteti ka në raport me qytetarët, Avokati i Popullit konstaton domosdoshmërinë që Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë masa që të gjithë qytetarët që kanë punuar para vitit 1999 dhe janë larguar nga puna mbi baza diskriminuese, të përfitojnë nga pensioni kontributpagues i moshës.
Prandaj, Avokati i Popullit i ka rekomanduar:

Qeverisë së Republikës së Kosovës:
1. Që në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese dhe ligjore, të ndërmarrë masat e nevojshme që në afat sa më të shpejtë të fillohet ndryshimi i bazës ligjore dhe të propozoj draft-ligjin për skemat pensionale të financuara nga shteti në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që kategoria e qytetarëve që kanë punuar para vitit 1999 dhe janë larguar nga puna mbi baza diskriminuese, të përfitojnë nga pensioni kontributpagues. Për këtë qëllim është e nevojshme që të përcaktohen detyrat përkatëse edhe për ministritë e linjës, në lidhje me përgatitjen e ndryshimeve ligjore dhe planifikimet buxhetore, dhe sipas nevoje të themelohet edhe një grup punues ndërministror.

Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale:
1. Që të përgatisë draftin dhe të inicioj ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti (LSPFSh), përkatësisht nenit 8 të tij, në mënyrë që edhe personat që kanë punuar para vitit 1999 dhe që nuk e kanë arritur stazhin pensional prej 15 viteve për shkak të largimit diskriminues nga puna, t’u njihet e drejta për të përfituar nga pensioni kontributpagues;

2. Që të bëjë identifikimin dhe klasifikimin e kësaj kategorie të qytetarëve të Kosovës në bazë të dëshmive relevante;

3. Që pas ndryshimit të ligjit të ndryshoj edhe Udhëzimin Administrativ Nr. 09/2015 Për kategorizimin e shfrytëzuesve të pensionit kontributpagues sipas strukturës kualifikuese dhe kohëzgjatjes së pagesës së kontributeve-stazhit pensional

Ministrisë së Financave
1. Që të ndërmarrë masat e duhura që përveç mjeteve nga fondi pensional, sipas nevoje të parashikoj mjete financiare shtesë në planin e Buxhetit Shtetëror, me qëllim të dhënies së pensioneve për këtë kategori të qytetarëve. Në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore në afat sa me të shpejtë të propozojë kategorizimin e këtyre pensionistëve në pajtim me kapacitetet që ka buxheti i Republikës së Kosovës.

Ky Raport me Rekomandime është përcjellë tek autoriteti përgjegjës. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së
http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/Raporti_pensionet_kontribut_Exofficio_235_2018_244958.pdf