Avokati i Popullit i dorëzoi Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin e Shtatëmbëdhjetë Vjetor

30/03/2018

Prishtinë, më 30 mars 2018 – Avokati i Popullit, në bazë të nenit 135, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 29, paragrafit 1 dhe 2, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, i ka dorëzuar sot, Kuvendit të Republikës së Kosovës, Raportin e shtatëmbëdhjetë vjetor.

Raportimi vjetor i IAP-së, në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është pasqyrim i gjendjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, përgjatë vitit raportues, si dhe reflektim i punës dhe rolit të Avokatit të Popullit, si mekanizëm i pavarur kushtetues, në mbikëqyrjen dhe vlerësimin e punës së autoriteteve publike, përkitazi me respektimin e ligjeve, ofrimin e shërbimeve, miradministrimin, transparencën dhe llogaridhënien.

Raporti përmban të gjeturat e Avokatit të Popullit gjatë vitit 2017, lidhur me rastet e shkeljeve sistematike dhe individuale të lirive dhe të drejtave të njeriut, rekomandimet, opinionet, si dhe propozimet për ndërmarrjen e masave, që kontribuojnë në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut, si dhe aktivitetet e institucionit, në drejtim të promovimit dhe edukimit për të drejtat e njeriut.

Avokati i Popullit mirëpret shqyrtimin e Raportit vjetor nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancë plenare, sikurse është e paraparë në nenin 29, paragrafi 3, të Ligjit nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit.