
Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të Ujërave
Prishtinë, më 21 mars 2018 – Dita Botërore e Ujit/Ujërave, 22 marsi, përsëri e gjen vendin në përpjekje për t’i tejkaluar sfidat e deritanishme, për të siguruar zhvillim dhe shfrytëzim të qëndrueshëm të resurseve ujore.
Simbolika e kësaj date është përqëndrimi i vëmendjes në vetë rëndësinë e ujit, ndërkohë që për këtë vit, Kombet e Bashkuara kanë vendosur temën “Natyra për Ujin”, në kërkim të një zgjidhje për sfidat e ujit, me të cilat ballafaqohet njerëzimi në shekullin njëzet e një.
Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm, konkretisht objektiva e gjashtë, synon menaxhim të qëndrueshëm të ujërave deri në vitin 2030, duke përfshirë synimin për të rritur riciklimin e ujit dhe sigurinë që i njëjti të jetë i sigurt për t’u përdorur.
Në Kosovë, ujërat, si pjesë përbërëse e mjedisit, janë e drejtë e njeriut, e garantuar me Kushtetutën e Republikës.
Vendi ynë vazhdon të ballafaqohet me probleme të keqadminstrimit të ujërave, ndonëse Kushtetuta dhe Ligji në fuqi për Ujërat, garanton zhvilimin dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të resurseve ujore, të cilat janë të domosdoshme për shëndetin publik, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin socio-ekonomik.
Realiteti i sotëm tregon që ujërat në Kosovë nuk mirëmbahen dhe shfrytëzimi dhe shkarkimi ka vazhduar deri në masën që paraqet shqetësim serioz edhe për shëndetin e përgjithshëm të popullatës në Kosovë. Përpjekja serioze e institucioneve përgjegjëse, për të pasur një vizion të qartë dhe një strategji kombëtare për ujërat, ende mungon. Përballë ndryshimeve klimatike, paraqitet shumë brengosës moskujdesi ndaj burimeve natyrore të ujit, si dhe neglizhenca ndaj paralajmërimeve me kohë nga terreni apo shqetësimeve të publikuara edhe nëpërmjet mediave.
Problemet serioze në këtë fushë kanë të bëjnë me mos ngritjen e një sistemi për monitorimin e cilësisë së ujërave nëntokësore, mundësitë e ngritjes së infrastrukturës ujore, sidomos mungesës së impianteve për trajtimin e ujërave të ndotura, që do të ruanin cilësinë e ujërave sipërfaqësore.
Institucioni i Avokatit te Popullit, si institucion kombëtar i mandatuar për mbrojtjen, mbikëqyrjen, dhe promovimin e të drejtave të njeriut, tërheq vëmendjen e të gjitha institucioneve përgjegjëse, që të respektojnë dispozitat ligjore për përmirësimin e gjendjes së ujërave dhe të mundësojnë që të gjithë qytetarët të kenë qasje në ujë të pastër, të pijshëm, sipas standardeve ndërkombëtare.