Deklaratë e Avokatit të Popullit me rastin e Ditës Botërore të të Drejtave të Konsumatorit

15/03/2018

15 Marsi, sikurse në mbarë botën, edhe në Kosovë shënohet si Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit, me qëllim rritjen e vetëdijes për të drejtat dhe nevojat e konsumatorëve,

Respektimi dhe mbrojtja e të drejtave të konsumatorit ka të bëjë me ruajtjen e shëndetit dhe të sigurisë së konsumatorëve dhe me mbrojtjen e tyre nga çdo praktikë abuzive në treg.

Simbolika e kësaj date, shërben si një moment ideal, për të rikthyer vëmendjen e institucioneve tona, drejt zbatimit të Rezolutës 39/248 të Kombeve të Bashkuara dhe Udhëzimit për kujdesin apo mbrojtjen e konsumatorit, si dhe ligjit për mbrojtën e të drejtave te konsumatorëve të nxjerrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Mbrojtja e te drejtave të konsumatorit, kërkon angazhim dhe përkushtim edhe më të madh të institucioneve relevante që merren me avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të konsumatorit taksapagues.

Ndonëse Kushtetuta dhe ligjet në fuqi garantojnë te gjithë qytetarëve të Kosovës siguri dhe cilësi në furnizimet e ofruara, mbetet sfiduese për institucionet dhe shoqërinë kosovare siguria e ushqimit, si në prodhimet e tregut vendor, po ashtu edhe nga mallrat e importuara nga vendet e rajonit dhe nga vendet e Bashkimit Evropian.

Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit rregullon mbrojtjen e së drejtës themelore të konsumatorëve pranë blerjes së prodhimeve dhe shërbimeve, si dhe pranë formave tjera të përvetësimit të prodhimeve dhe shërbimeve në treg dhe përfshin të drejtën e informimit, të drejtën e sigurisë, të drejtën për të zgjedhur dhe të drejtën për t’u dëgjuar.

Institucioni i Avokatit te Popullit, si mekanizëm shtetëror i mandatuar për mbrojtjen, mbikëqyrjen, dhe promovimin e të drejtave të njeriut, gjatë vitit 2017 dhe gjatë këtij viti është marrë me disa raste, lidhur me mbrojtjen e të drejtave të konsumatorëve, duke filluar nga ngarkesa dhe faturimi i qytetarëve të Kosovës për energjinë elektrike që është shpenzuar në veri, furnizimi me energji elektrike, furnizimi me ujë, siguria dhe cilësia në ushqime, si dhe është në bashkëpunim te vazhdueshëm me të gjitha institucionet relevante që merren me mbrojtjen e te drejtës së konsumatoreve, duke filluar nga Departamenti për Mbrojtjen e të Drejtave të Konsumatorit, Inspektorati Qendror i Tregut, që funksionon në kuadër Ministrisë e se Tregtisë dhe Industrisë, Inspektoratet Lokale të Tregut që funksionojnë në kuadër të komunave në Kosovë, Agjencia për Ushqim dhe Veterinari, Këshilli për Mbrojtjen e Konsumatorit etj.