Avokati i Popullit publikoi Raportin përkitazi me të drejtat civile të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të zhvendosur në Republikën e Kosovës
Avokati i Popullit i ka përcjellë sot Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Raportin Ex Officio, i cili ka për qëllim tërheqjen e vëmendjes së autoriteteve përgjegjëse shtetërore të Republikës së Kosovës, lidhur me të drejtat civile për status, qëndrim ligjor dhe pajisje me dokumentacion personal të shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, të shpërngulur në territorin e Republikës së Kosovës.
Një numër i madh i qytetarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, janë zhvendosur në Kosovë, për arsye të sigurisë, aspektet sociale, ekonomike e të tjera. Një pjesë e tyre, në mungesë të dokumenteve personale, për kohë të gjatë, janë duke u përballur me çështjen e mungesës së statusit për qëndrim ligjor, pa shtetësi efektive dhe dokumente personale identifikimi brenda territorit të Republikës së Kosovës.
Avokati i Popullit e konsideron shqetësuese mënyrën e qëndrimit dhe zhvillimit të jetesës për popullatën e Preshevës, Bujanocit, dhe Medvegjës, për shkak të qëndrimit të tyre në nënyrë jo të rregullt në Republikën e Kosovës. Avokati i Popullit, më tej vlerëson se, si rrjedhojë, janë të pashmangshme vështirësitë në realizimin e një jete normale dhe gëzimin e të drejtave elementare, të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Në bazë të analizës së bazës ligjore dhe konstatimeve të arritura, Avokati i Popullit rekomandon Qeverinë e Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrinë e Punëve të Brendshme, që të bëhet profilizimi i numrit të saktë të këtyre qytetarëve të shpërngulur në Kosovë dhe të ndërmerren masat e nevojshme për rregullimin e kuadrit ligjor, që u mundëson atyre të gëzojnë të drejtat themelore dhe elementare të njeriut.
Ky Raport me Rekomandime është përcjellë tek autoriteti përgjegjës. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së, në linkun: http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/Raport_me_rekomandime_355-2016_16_mars_2018_935299.pdf