Avokati i Popullit publikoi Raportin lidhur me të drejtën në pension kontributpagues, si dhe të drejtën në shfrytëzimin e pensioneve të tjera të aplikueshme në Kosovë
Avokati i Popullit i ka përcjellë sot Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Raportin me Rekomandime përkitazi me të drejtën në pension kontributpagues të moshës, si dhe të drejtën në shfrytëzimin e pensioneve të tjera të aplikueshme në Republikën e Kosovës.
Raporti është i bazuar në ankesën A.890/2016 lidhur me ndërprerjen e pensioneve kontributpaguese, por gjithashtu edhe në ankesa të tjera të po kësaj natyre, që janë pranuar nga Avokati i Popullit.
Raporti ka për qëllim të tërheqë vëmendjen e MPMSsë, që qytetarëve t’u ofrohet mundësia e garantuar ligjore në shfrytëzim të pensioneve kontributpaguese, e përcaktuar me Ligjin Nr. 04/L-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, me të drejtën në ushtrimin e pensioneve në bazë të Ligjit Nr.04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të tyre dhe Ligjit Nr.04/L-261 për Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Me këtë raport, Avokati i Popullit vlerëson se pensioni kontributpagues është një e drejtë e fituar në bazë të normave ligjore të caktuara, e drejtë kjo e cila nuk mund të kufizohet me ligje apo akte të nxjerra më vonë. Për më shumë, ky Raport argumenton se ushtrimi i të drejtës në pensionin kontributpagues të moshës, paraqet ushtrim të së drejtës në pronë, në bazë të nenit 1, Protokollit Nr.1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), në raport me kushtëzimin e ushtrimit të së drejtës në këtë pension, në bazë të Ligjit për Skemat Pensionale.
Avokati i Popullit ka analizuar ligjet përkatëse, të sipërpërmendura, dhe më qëllim të shmangies të të gjitha pengesave ligjore në ushtrimin e të drejtës në pensione kontributpaguese, si e drejtë në pronë, ka rekomanduar ndryshimin e:
1. Ligjit Nr. 04/l-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti, përkatësisht fshirjen e:
a) paragrafit 3 të nenit 8 të këtij ligji, i cili përcakton se: “personat të cilët i plotësojnë kushtet dhe kriteret për pension kontributpagues të moshës, nuk mund të jenë edhe shfrytëzues të ndonjë skeme tjetër pensionale të përcaktuar me këtë ligj”; dhe
b) nenit 16 të këtij ligji, i cili përcakton se: “Personat të cilët janë përfitues të të cilit do pension të Skemave pensionale të përcaktuara me këtë ligj, nën asnjë rrethanë, nuk mund të jenë përfitues të ndonjë pensioni nga skemat e veçanta pensionale të cilat menaxhohen dhe administrohen nga Ministria”.
2. Ligjit Nr. 04/L-054 për Statusin dhe të Drejtat e Dëshmorëve, Invalidëve, Veteranëve, Pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Viktimave Civile dhe Familjeve të Tyre, përkatësisht fshirjen e paragrafit 1.4 të nenit 5 të ligjit, i cili përcakton se: “përfituesit e pensioneve sipas paragrafit 1.1 dhe 1.2 dhe 1.3 të këtij neni, nuk mund të jenë shfrytëzues të asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të aplikueshme në Kosovë, përveç nëse ndryshe është përcaktuar me ligj”.
3. Ligjit Nr. 04/L-261 për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, përkatësisht fshirjen e paragrafit 2 të ligjit i cili përcakton se: “Veterani Luftëtar i UÇK-së nuk mund të jetë shfrytëzues i asnjë pensioni nga skemat e tjera pensionale të financuara nga shteti. Nëse Veterani luftëtar është shfrytëzues i ndonjë skeme pensionale të financuar nga shteti në Republikën e Kosovës duhet të përcaktohet se cilin pension do të marrë”
Ky Raport me Rekomandime është përcjellë tek MPMS, si autoritet përgjegjës. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqe, në: http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/A_890_-2016,_Raport_me_rekomandime_27-02-2018_888876.pdf