Avokati i Popullit publikoi Raportin përkitazi me kufizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike
Avokati i Popullit ka përcjellë tek Komuna e Ferizajit, si autoritet përgjegjës, Raportin me rekomandime në lidhje me kufizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike.
Raporti është mbështetur në parashtresën e OJQ “Iniciativa për Progres – INPO” në qershor të vitit 2017, nëpërmjet së cilës është kërkuar nga Avokati i Popullit të mbrojë të drejtën për qasje në dokumente publike nga ana e tyre, meqë OJQ në fjalë s’kishte marrë përgjigje nga Komuna e Ferizajit as afro një muaj nga paraqitja e kërkesës për qasje në marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Komunës së Ferizajt dhe kompanisë “Doranova Oyme”, marrëveshje e realizuar në vitin 2014, si dhe raportin e studimit të fizibilitetit lidhur me vlerësimin e pronës komunale.
Në Raportin e tij, Avokati i Popullit vëren se lidhur me kërkesën e parashtruar të palës komuna nuk ka nxjerrë fare vendim. LQDP më nenin 7, paragrafi 8, obligon institucionin publik që brenda shtatë (7) ditëve, prej kohës së regjistrimit të kërkesës, të nxjerr vendim për lejimin e qasjes në dokumentin e kërkuar ose të jap përgjigje me shkrim për të arsyetuar refuzimin e plotë apo të pjesërishëm dhe njoftimin e palës për të drejtën e ankesës.
Avokati i Popullit vlerëson gatishmërinë e Komunës së Ferizajit për bashkëpunim me Avokatin e Popullit, por konstaton se dështimi për të nxjerrë një vendim në formën adekuate dhe me një arsyetim të qëndrueshëm paraqet keqadministrim dhe shkelje të së drejtës në përdorim të mjeteve juridike.
Po ashtu, Avokati i Popullit tërheq vëmendjen tek praktika e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), e cila thekson se vonesat në dhënien e informatës mund t’i heqin në mënyrë të vazhdueshme të gjithë vlerën informatës dhe interesimin lidhur me të.
Avokati i Popullit konstaton se lidhur me qasjen në dokumente publike, ngjashëm me rastin në fjalë, Gjykata Themelore në Prishtinë me Aktgjykimin e saj A.nr.1335/12, të datës 26.05.2015, në kontestin administrativ të paditësit “Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese – BIRN” kundër të paditurës Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, ka vendosur pozitivisht duke e aprovuar kërkesëpadinë e paditësit me të cilin gjykata ka detyruar të paditurën Zyrën e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, që në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh të merr aktvendim me të cilin do t’i lejohet paditësit qasja në të gjitha dokumentet dhe informatat e kërkuara.
Me qëllim të përmirësimit të respektimit të së drejtës për qasje në dokumente publike, si e drejtë kushtetuese dhe ligjore, si dhe rritjes së transparencës dhe llogaridhënies dhe në mënyrë që qytetarët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë, si mjet të fuqishëm për kontrollin e punës së organeve të pushtetit, Avokati i Popullit i rekomandon Komunës së Ferizajit që të shqyrtojë kërkesën e OJQ “Iniciativa për Progres-INPO” të datës 18 maj 2017, për qasje në dokumente publike dhe t`i jepet përgjigje e arsyetuar, si dhe të ndërmarrë hapa për ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve publik lidhur me zbatimin Ligjit për Qasje në Dokumente Publike.
Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, i është përcjellë autoritetit përgjegjës. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së, në linkun: http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/Raport_me_rekomandime_A_431-2017_521203.pdf