Avokati i Popullit nënshkroi Marrëveshje Mirëkuptimi me Save the Children

19/01/2018

Avokati i Popullit ka nënshkruar Marrëveshje Mirëkuptimi me Save the Children, me qëllim të përcaktimit reciprok të formës së bashkëpunimit për të promovuar më tej të drejtat e fëmijëve nëpërmjet fuqizimit të pjesëmarrjes së fëmijëve.

Bazuar në këtë marrëveshje do të zhvillohen planet e përbashkëta të veprimit vjetor, që përfshinë rolet e dy palëve nënshkruese dhe Grupit Kombëtar për Monitorim e të Drejtave të Fëmijëve “Respektoni të Drejtat Tona” (ROR) – i drejtuar nga fëmijët.

Ky bashkëpunim ka ardhur si kërkësë nga vetë fëmijët, të cilët në hulumtimin “Zëri Ynë”, kanë shprehur rëndësinë e pjesëmarrjes së fëmijëve në vendimmarrje dhe nevojën e pranisë më të madhe të Avokatit të Popullit në të gjitha komunat.

Marrëveshja ndërmjet Avokatit të Popullit dhe Save the Children shënon një hap të rëndësishëm në funksion të realizimit të të drejtës për përfaqësim të fëmijëve nga e gjithë Kosova, si dhe llogaridhënies dhe përmirësit të zbatimit të të drejtave të fëmijëve.