Featured Image

Institucioni i Avokatit të Popullit, në bashkëpunim me OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” vizituan fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Qendrën Mësimore në Lipjan

11/12/2017

Në kuadër të aktiviteteve me rastin e 10 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, dhe në mënyrë që fëmijët të njihen me të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe mandatin dhe kompetencat e Institucionit të Avokatit të Popullit, përfaqësuesit e Departamentit për Mbrojtje nga Diskriminimi si dhe Departamentit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në kuadër të këtij institucioni në bashkëpunim me OJQ “Voice of Roma, Ashkali and Egyptians” (VoRAE), më 11 dhjetor 2017, vizituan nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Shkollën Fillore “Ismail Luma” në Lipjan. Në këtë shkollë fëmijët e këtyre komuniteteve vijojnë mësimin shtesë në kuadër të Qendrës Mësimore që menaxhohet nga OJQ VoRAE. Ky takim u shfrytëzua gjithashtu, edhe për pranimin e ankesave në mënyrë të drejtpërdrejtë nga fëmijët.

Për më tepër, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) në shtator të këtij viti ka nxjerr Udhëzimin Administrativ nr.12/2017, për Themelimin dhe Funksionimin e Qendrave Mësimore në Kosovë, prandaj IAP kërkon që ky udhëzim administrativ të fillon të zbatohet duke respektuar kriteret dhe procedurat e themelimit dhe funksionimit të qendrave mësimore në Kosovë, që ofrojnë mbështetje mësimore shtesë dhe aktivitete të tjera edukative. Gjithashtu, IAP me qëllim që këto qendra mësimore të jenë funksionale, kërkon nga MASHT-i që procedurat rreth licencimit të tyre të bëhet brenda një afati të arsyeshëm kohor ndërsa komunat dhe donatorët duhet të përkrahin funksionimin e këtyre qendrave mësimore.

IAP në vazhdimësi ka mbështetur kërkesat e disa OJQ-ve që ofrojnë shërbime të mësimit shtesë, në veçanti për fëmijët e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian por gjithashtu, bazuar në mandatin dhe kompetencat që ka IAP, do të monitorojë zbatimin e Udhëzimit Administrativ nr.12/2017 për Themelimin dhe Funksionimin e Qendrave Mësimore dhe sipas të të gjeturave, do të merr veprime konkrete, në mënyrë që fëmijëve të të gjitha grupeve etnike dhe posaçërisht komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian t’u ofrohen kushte sa më të përshtatshme në mësim-nxënie.