Deklaratë e përbashkët e Avokatit të Popullit dhe e Organizatave Joqeveritare të Republikës së Kosovës

10/12/2017

 Të udhëhequr nga parimet dhe standardet universale mbi të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të aprovuara dhe të proklamuara në: Deklaratën Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventën Evropiane mbi të Drejtat dhe Liritë Themelore të Njeriut, instrumentet e tjera ndërkombëtare si dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës ;
 Duke u thirrur në parimin e pandashmërisë, patjetërsueshmërisë, pacenueshmërisë së lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, barazinë para ligjit, trajtimin e barabartë dhe jo diskriminim, parime këto të afirmura në Kapitullin II, dispozitat e nenit 21 dhe 24 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;
 Duke e theksuar rëndësinë e njohjes, mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut;
 Në mbështetje të parimeve dhe vlerave të proklamuara në dispozitat e pakos ligjore për të Drejtat e Njeriut;
 Duke marrë parasysh detyrimin për të siguruar mjete juridike efektive për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Kosovë;
 Të motivuar për dërgim të një mesazhi të fuqishëm për angazhim të shtuar gjithëpërfshirës dhe ndërinstitucional në promovimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të njeriut;
 Të përkushtuar dhe të angazhuar për ndërmarrjen e veprimeve të përbashkëta, me theks të veçantë në zhvillimin e bashkëpunimit efektiv për respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore për të gjithë;

Avokati i Popullit dhe Organizatat Joqeveritare të Republikës së Kosovës, nën moton “ Çohu për të drejtat e njeriut”, të bashkuar në këtë iniciativë të përbashkët, në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, më 10 dhjetor 2017, në Prishtinë, në mënyrë unanime e nënshkruajnë Deklaratën e përbashkët, qëllimi i të cilës është mbrojtja e të Drejtave dhe Lirive Themelore të të gjithë qytetarëve në mënyrë të barabartë dhe pa diskriminim, ndaj:
I ftojmë institucionet e Republikës së Kosovës për krijimin e masave efektive për ushtrimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut, të përcaktuara nga Kushtetuta e Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare.
U bëjmë thirrje të gjithë akterëve të pushtetit shtetëror, që t’i fuqizojnë përpjekjet për promovimin dhe edukimin mbi të drejtat e njeriut dhe respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Kërkojmë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që t’i adresojë me prioritet çështjet e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe t’u ofrojë përkrahje më të fuqishme institucionale në mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, mekanizmave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, si dhe organizatave joqeveritare.

Prishtinë,
Më 10 dhjetor 2017

Nënshkruesit e Deklaratës:
Hilmi Jashari – Avokat i Popullit

Përfaqësuesit e Organizavate Joqeveritare në Kosovë