Avokati i Popullit mbajti tryezën me temën “Zbatimi i rekomandimeve të Konventës Kornizë të KE për mbrojtjen e pakicave kombëtare”

06/11/2017

Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP) mbajti Tryezën me titull “Zbatimi i rekomandimeve të Konventës Kornizë të Këshillit të Evropës (KE) për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, në të cilën, pjesëmarrësit diskutuan lidhur me rekomandimet e kësaj Konvente, e cila ka të bëjë me pakicat kombëtare, si dhe sfidat që përcjellin zbatimin e saj. Po ashtu, rëndësi të veçantë iu kushtua edhe zbatimit të Ligjit në fuqi për Mbrojtjen nga Diskriminimi dhe mundësive për zgjidhjen e situatave me bazë diskriminimi për këto komunitete. Përfaqësuesit e IAP prezantuan të gjeturat nga hulumtimi në komunën e Graçanicës, Obiliqit, Mitrovicës dhe Podujevës.

Pjesëmarrësit u dakorduan që institucionet, si në nivel qendror ashtu edhe ato në nivel lokal, të shtojnë përpjekjet për përmrëisimin e situatës tek komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë, duke u nisur nga pjesëmarrja më e madhe e këtyre komuniteteve në punësim në institucione publike, plotësim-ndryshimin e ligjit në fuqi për skema sociale duke ndryshuar/rritur moshën e fëmijëve përfitues, rritur e mbështetjen institucionale për krijimin e kushteve të përshtatshme të strehimit për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, si dhe zbatimin praktik të legjislacionit vendor dhe ndërkombëtar, që garanton respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut tek këto komunitete.

Gjithashtu, në këtë aktivitet u theksua edhe përpjekja më e madhe e shoqërisë civile në adresimin e sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohen komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian.

IAP vlerëson se mbajtja e takimeve të tilla është më se e nevojshme sepse ofrohet një mundësi e diskutimit të përbashkët në mes të Avokatit të Popullit, institucioneve publike të nivelit qendror dhe lokal dhe OJQ-ve të cilat drejtpërdrejtë merren me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë.

Përkundër faktit se këto komunitete ende vazhdojnë të jenë ndër më të diskriminuarat në Kosovë, Avokati i Popullit shprehu përkushtimin e tij në zgjidhjen e problemeve të këtyre komuniteteve brenda mandatit dhe kompetencave kushtetuese dhe ligjore.