Avokati i Popullit shpreh shqetësimin lidhur me përdorimin e terminologjisë dhe koncepteve diskriminuese në literaturën shkollore

03/11/2017

Avokati i Popullit ka realizuar takim me Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, me qëllim të avancimit të bashkëpunimit dhe hapave që mund të ndërmerren sa i përket përmirësimit të gjendjes së të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.

Me theks të veçantë është diskutuar gjuha diskriminuese dhe fyese për personat me aftësi të kufizuar, e përdorur në tekset shkollore.
Shoqata Down Sindrom Kosova, e pranishme në këtë takim, ka ngritur shqetësimin tek Avokati i Popullit lidhur me terminologjinë e përdorur në librin e biologjisë së klasës së 10-të dhe 11-të, ku Sindroma Down cilësohet si “ Idiotia Mongoloide” dhe personat me sindromën Down, në këto tekste karakterizohen se “ jetojnë më së shumti 10-15 vjet”! Sipas asaj që iu tha Avokatit të Popullit në këtë takim, termi i tillë ofendues për perosnat me Sindromën Down, është terminologji e tejkaluar që nga vitet e 80-ta.

Përdorimi i termave dhe koncepteve në literaturën shkollore, që nuk janë në pajtim me dinamikën e avancimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, për Avokatin e Popullit paraqet jo vetëm shqetësim, por edhe nevojë urgjente për korrigjime. Përkundër reagimit të vazhdueshëm publik, formulime të kësaj natyre, që janë të papërshtatshme dhe të padinjitetshme, po vazhdojnë të përdoren edhe më tej. Gjuha e tillë e përdorur për personat me Sindromën Down, ashtu siç edhe raste të tjera kur përdoret gjuhë denigruese dhe diskriminuese, paraqet mungesë të profesionalizimit dhe joevoluim të njohurive dhe vetëdijes sa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut.

Avokati i Popullit tërheq vëmendjen e autoriteteve përgjegjëse se literatura shkollore ka nevojë të rishikohet me vëmendje dhe të riformulohet në pajtim me garancitë kushtetuese dhe ligjore në Republikën e Kosovës, për trajtim të barabartë dhe pa diskriminim.