Në shkollat fillore dhe të mesme, filloi fushata informuese ”Njihuni me Institucionin e Avokatit të Popullit”
Në kuadër të aktiviteteve promovuese, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), nga 1-30 nëntor 2017, do të zhvilloj fushatën informuese për nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme, lidhur me rolin e IAP-së në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.
Qëllimi kryesor i organizimit të fushatës ka të bëjë me informimin e nxënësve për rolin e IAP-së, në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si dhe për mundësitë e tyre, që përkitazi me shkeljet e të drejtave të njeriut, t’i drejtohen IAP-së, përveç tjerash edhe nëpërmjet platformës “Njih të drejtat tua”.
Qëllim tjetër i fushatës është ofrimi i mundësive fëmijëve, që të dëgjohen nga përfaqësuesit e IAP-së, përkatësisht, që të shprehin mendimet, qëndrimet apo shqetësimet e tyre, për probleme të ndryshme me të cilat ata ballafaqohen çdo ditë, jo vetëm në shkollë, por edhe në rrugë e gjetiu.
Për më tepër, fushtata synon avancimin e njohurive të mësimdhënësve për mandatin dhe rolin e IAP-së në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, veçmas në vetëdijesimin për domosdoshmërinë e parandalimit të ndëshkimit trupor nëpër shkolla.
Realizimi i fushatës, përkatësisht informimi i nxënësve dhe mësimdhënësve për rolin e IAP-së në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, do të bëhet përmes të takimeve që përfaqësuesit e IAP-së do t’i realizojnë me fëmijë dhe mësimdhënës në shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, duke synuar ata që jetojnë në pjesët rurale të vendit. Në këto takime fëmijëve do t’u shpërndahen edhe materiale promovuese.