Nën organizimin e Avokatit të Popullit u shënua Dita Ndërkombëtare e të Drejtës për të Ditur
Me qëllim shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtës për të Ditur, Avokati i Popullit organizoi një Forum Diskutimi me temën “E drejta për të ditur – legjislacioni dhe praktika në Kosovë”
Synimi i organizimit të kësaj ngjarje ishte reflektimi mbi të drejtën për të ditur, si koncept fundamental për tranparencë dhe llogaridhënie institucionale, duke ofruar përspektivat e folësve mbi legjislacionin që siguron respektimin e kësaj të drejte dhe zbatimin praktik të saj, përfshirë funksionalitetin e mekanizmave që garantojnë qasjen në dokumente zyrtare dhe qasjen në informacion, në vendin tonë.
Të pranishëm në këtë Forum ishin zyrtarë të autoriteteve publike, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë. Diskutimet u fokusuan në identifikimin e mangësive ligjore dhe sidave sa i përket legjislacionit për qasje në dokumente publike dhe veçanarisht u fol për zbatimin praktik dhe gatshmërinë e institucioneve për transparencë.
Në këtë kontekst, Avokati i Populit theksoi se e drejta pë të ditur shtron para autoriteteve publike dy obligime: qasjen proaktive në publikimin e informatave kyçe sa i përket punës së tyre, si dhe gatishmërinë t’i përgjigjen interesimit dhe kërkesave për qasje në informacion apo dokumente publike.
Nga tërësia e diskutimeve të bëra nga të pranishmit, u konkludua se :
• Si koncept bazik për arritjen e transparencës dhe llogaridhënies, e drejta për të ditur qëndron në thelb të funksionimit të një shoqërie demokratike. Dhënia dhe marrja e informacioneve siguron pjesëmarrjen dhe aktivizmin qytetar në proceset vendim-marrëse;
• Qasja në informacion siguron qeverisje transparente dhe llogaridhënëse;
• Garancitë që ofron Kushtetuta nëpërmjet tre neneve eksplicite: Nenit 40 – Liria e shprehjes; Nenit 41 – E drejta e qasjes në Dokumente Publike; Nenit 42 – Liria e mediave, e po ashtu nëpërmjet zbatimit të drejtëpëdrejtë në vendin tonë të Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare, si dhe kërkesës decidive kushtetuese për t’ju referuar praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, janë bazë e mirë juridike për transparencë dhe llogaridhënie publike, që e bëjnë parim të pakontestueshëm qasjen në informacion dhe dokumente publike si rregull, e refuzimin si përjashtim;
• Gazetarët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile luajnë rol të rëndësishëm si mbikqyrës publik të punës së autoriteteve publike dhe aktivizmi i tyre është jashtëzakonisht i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm;
• Autoritetet publike duhet të fuqizojnë kapacitetet dhe në pajtim me legjislacionin vendor të eliminojnë barrierat në sigurimin e informacioneve dhe dokumenteve publike dhe të funskionalizojnë mekanizmat që e mundësojnë këtë gjë;
• Vullneti i munguar politik, heshtja e institucioneve, mungesa e sanksioneve ligjore për autoritetet/ bartësit e përgjegjësive, që bëhen pengesë për hapjen e informacioneve dhe dokumenteve të rëndësishme për publikun, harmonizimi i legjislacionit dhe eliminimi i kolizionit ligjor mbeten sfida që kërkojnë vëmendje dhe alternativa në funksion të transparencës dhe llogaridhënies publike.
Në përmbyllje të këtij Forumi, Avokati i Popullit falënderoi të pranishmit që iu përgjigjen ftesës së IAP-së dhe kontribuan me diksutimet e tyre, si dhe riktheksoi interesin e qytetarit për fuqizimin e vazhdueshëm të transparencës.