Avokati i Popullit po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit dhe të Ombudmanëve ICIC 2017
Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, po merr pjesë në Konferencën e X-të Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit dhe Ombudsmanëve ( #ICIC2017) në Manchester, Britani e Madhe.
Konferenca ka për qëllim të hulumtoj një varg të çështjeve të cilat afektojnë Komisionerët e Informimit apo institucionet që janë përgjegjëse në shtetet përkatëse për qasjen në informacion gjithandej nëpër botë. Temat që do të diskutohen gjatë Konferencës përfshijnë risitë përkitazi me qasjen në informacion, të ardhmen e transparencës, modelet botërore të qasjes dhe si funksionojnë ato, gazetarinë(ët) dhe qasjen ne informacion/të dhënat e hapura, si dhe diskutimet do të fokusohen në të drejtat progresive të informimit dhe mënyrën se si të realizohen ato.
Përgjatë punimeve të Konferencës, pjesëmarrësit kanë mundësinë të dëgjojnë prezantimet e panelistëve të cilët vijnë nga shtete të ndryshme të botës: Kanada, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, India, Britania e Madhe, Australia, Spanja, Meksika, Sierra Leone, Shqipëria, Bullgaria, Irlanda, Skocia etj).
Pjesëmarrës në këtë Konferencë, bashkë me Komisionerët e Informimit dhe Ombusmanët (përfshirë Ombudsmanen e Evropës), janë përfaqësues që vijnë nga profile të ndryshme profesionale, përfshirë akademikë, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, profesionistë të politikave të komunikimit dhe informacionit, juristë etj
Bashkë organizatorë të Konferencës janë Zyra e Komisioneres së Informimit të Britanisë së Madhe dhe Zyra e Komisioneres së Informimit të Skocisë. Punimet e Konferencës do të zhvillohen më 20 dhe 21 shtator 2017.