Avokati i Popullit nënshkroi Deklaratën mbi Bashkëpunimin e Ombudsmanëve në fushën e mjedisit dhe të të drejtave të njeriut

15/09/2017

Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, është duke marrë pjesë në Konferencën IV-të Ndërkombëtare mbi Mjedisin dhe të Drejtat e Njeriut “Pjesëmarrja e Publikut në çështje ambientale“, e cila është duke u mbajtur në Lubjanë të Sllovenisë.

Kjo Konferencë, e cila mbahet nën patronatin e Presidentit të Republikës së Sllovenisë, ka për qëllim të identifikojë angazhimin e shteteve në respektimin e të drejtës për të jetuar në një ambient të shëndetshëm, me theks të veçantë pjesëmarrjen e publikut në draftimin dhe miratimin e rregulloreve për mjedisin, si dhe sa ato përmbushin parimet e transparencës, saktësisë dhe qasshmërisë.

Ombudsmanët nga Bosna dhe Hercegovina, Kroacia, Mali i Zi, Kosova, Maqedonia, Sllovenia dhe Serbia, të pranishëm në këtë Konferencë, kanë nënshkruar Deklaratën mbi bashkëpunimin e Ombudsmanëve në fushën e mjedisit dhe të drejtave të njeriut, duke vënë në dukje se e drejta për të jetuar në një ambient të shëndetshëm është e drejtë fundamentale dhe se shtetet duhet të përpiqen që masat e ndërmarra të jenë në funksion të respektimit të kësaj të drejte. Së këndejmi, duke pasur parasysh rolin e Ombudsmanëve për të pranuar dhe trajtuar kërkesa që kanë të bëjnë me çështje mjedisore, të cilat afektojnë jo vetëm shtetet përkatëse, por edhe shtetet në fqinjësi e më tej në kontekstin global, si dhe duke theksuar se pjesëmarrja e publikut për çështje mjedisore është nën nivelin e dëshirueshëm, nënshkruan themelimin e Rrjetit të Ombudsmanëve për Mjedis dhe të Drejta të Njeriut.

Ky Rrjet do të ketë për qëllim bashkëpunimin e ngushtë, shkëmbimin e njohurive, praktikave dhe përvojave, zhvillimin e formave në të cilat Ombudsmanët do t’i përgjigjeshin sfidave mjedisore, në përmbushje të mandatit që kanë.