Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me të drejtën në jetë dhe detyrimet pozitive për hetime efektive
Avokati i Popullit i ka përcjellë sot Prokurorisë së Shtetit dhe Ministrisë së Shëndetësisë, Raportin me rekomandime përkitazi me të drejtën në jetë dhe detyrimet pozitive për hetime efektive.
Raporti trajton të drejtën elementare në jetë, të garantuar me Kushtetutë dhe instrumentet ndërkombëtare të përfshira brenda së njëjtës dhe është inicuar pas ankesës së pranuar kundër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Ministrisë së Drejtësisë (MD) dhe Prokurorisë Themelore (PTH) në Prishtinë, përkitazi me pretendimet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, mospërcaktim të saktë të shkakut të vdekjes me autopsi mjeko ligjore, si dhe për hetime joefektive, lidhur me rastin e bashkëshortes së ankuesit, të cilës, gjatë trajtimit me transfuzion të gjakut i ishte komplikuar gjendja dhe me 24 janar 2016, kishte ndërruar jetë.
Bazuar në analizën ligjore, në standardet e përcaktuara ndërkombëtare, në veçanti në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ), si dhe në praktikën e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ), Avokati i Popullit konstaton se legjislacioni vendor është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe instrumentet ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Megjithatë, gjendja faktike, përfshirë rastin në fjalë, tërheq vërejtjen mbi shkeljen e së drejtës në jetë, për shkak të veprimeve të stafit mjekësor që nënkupton përgjegjësi objektive apo subjektive, si dhe jo efikasitetit të hetimit, që udhëhiqet nga prokuroria, e që është kusht për zbatimin e plotë të mbrojtjes së të drejtës për jetë, në bazë të praktikës së GJEDNJ-së.
Nëpërmjet këtij Raporti, Avokati i Popullit i rekomandon Prokurorisë Themelore në Prishtinë që në pajtim me kompetencat dhe autorizimet që burojnë nga ligji, si dhe në bashkëpunim me të gjitha agjencitë relevante, të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për zhvillimin e hetimeve të shpejta dhe efektive në çështjen e ankuesit, duke i zbardhur të gjitha rrethanat dhe shkaktarët e vdekjes së bashkëshortes së ankuesit. Për më tepër, të vlerësohet përgjegjësia, duke përfshirë përgjegjësinë objektive dhe subjektive, e që do të mund të lehtësonte çështjen e kompensimit për palën.
Ndërkaq, Ministrisë së Shëndetësisë, Avokati i Popullit i rekomandon që, në pajtim me kompetencat dhe autorizimet ligjore të themelojë komision të posaçëm për vlerësimin e gjendjes, i cili pas vlerësimit të situatës në terren do të hartonte protokol pune me rregulla strikte për rastet e dhënies së transfuzionit të gjakut.
Raporti në fjalë, në formatin e tij të plotë, u është përcjellë autoriteteve përgjegjëse dhe po ashtu u shpërndahet mediave. I njëjti mund të gjendet edhe në web faqen e IAP-së, në linkun: http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/A.nr.765-2016_Raport_me__rekomandime_385403.pdf