Avokati i Popullit publikoi Raportin në lidhje me trajtimin e punëve të pambaruara nga legjislatura e kaluar, sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës

12/09/2017

Avokati i Popullit, sipas detyrës zyrtare, ka analizuar nenin 86 të Rregullores së Kuvendit, që ka të bëjë me trajtimin e punëve të pambaruara nga legjislatura e kaluar, sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe sot ka publikuar raportin me rekomandime në lidhje me këtë.

Raporti, bazohet në analizën krahasuese ndërmjet verzioneve zyrtare të gjuhës shqipe dhe të gjuhës serbe të nenit 86, të Rregullores së Kuvendit, të emërtuar “Punët e pambaruara”, i cili përcakton se: “Në fund të mandatit të Kuvendit, të gjitha punët që i janë besuar atij konsiderohen të përfunduara” dhe versionit të gjuhës angleze, i cili përcakton se: “Në fund të mandatit të Kuvendit, të gjitha punët që i janë besuar atij konsiderohen të papërfunduara [unfinished]”. Sipas, kësaj dispozite, fjalët kyçe të rregullores, jo vetëm që s’janë të barabarta në tri versionet e Rregullores, por janë edhe plotësisht të kundërta.

Avokati i Popullit, konsideron që fjalët “të përfunduara” nuk duhet të interpretohen si të barabarta me “të anuluara”, pasi që një punë e cila konsiderohet si “e përfunduar” në një mandat të Kuvendit, nuk do të thotë detyrimisht se Kuvendi i ri s’mund ta rinisë atë punë aty ku ka mbetur nga legjislatura e kaluar, përveç në tri raste specifike, të cilat ceken shprehimisht në nenin 86.

Avokati i Popullit, duke u mbështetur në praktikën e deritashme, që, të gjitha punët e pambaruara në fund të një mandati të Kuvendit nuk mund të vazhdohen dhe duhet të rinisen nga hapi i parë, tërheq vëmendjen në koston shumë të lartë nga këndvështrimi i efikasitetit legjislativ, nëse Kuvendi do të detyrohet të rinisë çdo punë nga fillimi. Detyrimi i tillë, nëse imponohet, do të kishte pasojë si në projektligjet të cilat pothuajse kanë kaluar tërë procesin e shqyrtimit në komisionet e Kuvendit, po ashtu edhe në rastin e zgjedhjes së anëtarëve të institucioneve ose agjencive të pavarura dhe të bordeve të ndryshëm. Në këtë mënyrë, detyrimi për të rinisur çdo punë nga e para, rrezikon të vonojë punët e Kuvendit, si dhe të pengojë mirëfunksionimin e institucioneve të tjera që janë në pritje të vendimeve të tij.

Po ashtu, Raporti përmban hulumtim krahasues në mes Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Rregullores së Punës së Parlamentit Evropian, sipas të cilit jepen sqarime rreth punëve të pambaruara në Parlamentin Evropian, duke vlerësuar se një praktikë e tillë do të duhej të praktikohej edhe nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Bazuar në të gjeturat, Avokati i Popullit, ka konstatuar që neni 86 i Rregullores aktuale të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e lë në pikëpyetje çështjen se si Kuvendi i sapo zgjedhur duhet t’i trajtojë punët e pambaruara nga legjislatura e kaluar, dhe që respektimi i plotë i parimeve të efikasitetit legjislativ dhe të demokracisë, kërkon që Kryesia e Kuvendit të ketë kompetencë për të vendosur, me kërkesë të komisioneve dhe institucioneve të ndryshme, të vazhdojë punët e pambaruara nga legjislatura e vjetër, në vend që t’i rinisë këto punë nga hapi i parë.

Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, i është përcjellë autoriteteve përgjegjëse. I njëjti u përcillet mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së, në linkun: Raporti në lidhje me trajtimin e punëve të pambaruara nga legjislatura e kaluar, sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës