Avokati i Popullit publikoi Raportin përkitazi me mostrajtimin e personave me çrregullime kronike psikiatrike, në pajtim me procedurat ligjore

04/09/2017

Avokati i Popullit i ka përcjellë Komunës së Shtërpcës dhe Qendrës për Punë Sociale (QPS) në këtë komunë, si dhe Gjykatës Themelore në Ferizaj, Raportin me rekomandime në lidhje me mostrajtimin e personave me çrregullime kronike psikiatrike në pajtim me procedurat ligjore.

Ky Raport bazohet në artikullin e gazetës “Koha Ditore” me titull “Personat e sëmurë mendorë rrezikojnë qytetarët dhe pronat” të datës 11 prill 2017, ku përfaqësues të OJQ “Handicap Kosova”, dega në Ferizaj, kanë pohuar se institucionet komunale dhe Qendra e Shëndetit Mendor (QSHM) nuk i trajtojnë në mënyrën e duhur personat me çrregullime kronike psikiatrike, të cilët, për pasojë, sipas shkrimit, paraqesin rrezik potencial për sigurinë dhe pasurinë e qytetarëve.

Raporti parashtron faktet e përmbledhura dhe instrumentet ligjore të zbatueshme në Kosovë, mbi bazën e të cilave konstaton se QSHM, QPS dhe gjykata nuk kanë bashkëvepruar për trajtimin adekuat të personave me çrregullime kronike psikiatrike, në pajtim me ligjet në fuqi.

Për më tepër, Avokati i Popullit konstaton se në rastet e referuara, jo vetëm që nuk kemi të bëjmë me përmirësimin e cilësisë së jetës të personave me çrregullime mendore, po për shkak të trajtimit jo adekuat të tyre nga ana e institucioneve relevante, ka ardhur te shtimi i sjelljeve dhe veprimeve të kundërligjshme që shpesh kanë rezultuar me gjendje shëndetësore të përkeqësuar të këtyre pacientëve, por me rrezikim të sigurisë dhe pasurisë së qytetarëve.

Më tej, Avokati i Popullit, konstaton se institucionet relevante kompetente nuk janë në nivelin e përgjegjësisë së kërkuar, lidhur me ndërmarrjen e obligimeve pozitive për trajtimin e personave me çrregullime të rënda mendore, e që do të rezultonte me ofrimin e mbrojtjes dhe sigurisë nga veprimet e pa përgjegjshme të personave me çrregullime të rënda të shëndetit mendor.

Në bazë të konstatimeve të nxjerra, Avokati i Popullit i rekomandon Komunën e Shtërpcës dhe Qendrën për Punë Sociale, që në pajtim me kompetencat ligjore, të ndërmarrë masa urgjente për trajtimin e rastit B.V. dhe rastet tjera eventuale të kësaj natyre brenda kompetencës së kësaj qendre.

Ndërkaq, Gjykatës Themelore në Ferizaj i rekomandohet që të trajtojë me urgjencë propozimin e Prokurorit të PTHF P.949/15, të datës 7 gusht 2015, për Shqiptimin e Masës së Trajtimit të Detyrueshëm Psikiatrik për B.V.

Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, i është përcjellë autoriteteve përgjegjëse. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së, në linkun: http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/Ex-officio_278-17_Raport_me_rekomandime_lidhur_me_mostrajtimin_e_personave_me_%C3%A7rregullime_kronike_psikiatrike_konform_procedurave_ligjore_146500.pdf