Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime përkitazi me zvarritjen e procedurës gjyqësore në vendosjen e lëndës C.nr. 82/2013
Avokati i Popullit i ka përcjellë Gjykatës Themelore në Mitrovicë Raportin me rekomandime përkitazi me zvarritjen e procedurës gjyqësore në vendosjen e lëndës C.nr. 82/2013.
Raporti është bazuar në ankesë individuale përkitazi me çështjen juridike të marrëdhënies së punës, për kompensimin e të ardhurave personale. Për më tepër se 14 vite, ankuesi është në pritje të vendimit përfundimtar nga gjykatat lidhur me rastin e tij.
Mbështetur në faktet dhe provat e ankuesit, si dhe nga shkresat e lëndës që i posedon Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), si dhe bazuar në instrumentet relevante dhe analizën ligjore, Avokati i Popullit ka konstatuar se rasti i ankuesit, që nga viti 2003, pa vendim meritor nga ana e gjykatave, shkelë të drejtën për gjykim të drejtë, proces të rreullt, brenda një afati të arsyeshëm kohor, të përcaktuar dhe të mbrojtur me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ).
Po ashtu, zvarritjet e procedurës gjyqësore shkelin të drejtën për mjete efektive juridike të mbrojtura me nenin 32 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 13 të KEDNJ-së; të drejtën për mbrojtje gjyqësore të të drejtave të përcaktuara me nenin 54 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; të drejtën për zgjidhjen e ngutshme të kontesteve nga marrëdhënia e punës, të përcaktuara në nenin 475 të Ligjit për Procedurë Kontestimore.
Bazuar në këto konstatime të nxjerra pas hetimit të rastit në fjalë, Avokati i Popullit, i rekomandon Gjykatës Themelore në Mitrovicë shqyrtimin e mundësisë së ndërmarrjes së veprimeve lidhur me vendosjen e rastit C. Nr. 82/2013, meqenëse kjo lëndë daton që nga 3 marsi 2003.
Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, është përcjellë tek autoritetet përgjegjëse. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së, në linkun: http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/Raport_me_rekomandime_A_71-2015_Zvarritje_Procedure_921612.pdf