Avokati i Popullit publikoi dy Raporte lidhur me zvarritje të procedurave gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe në Gjykatën Themelore në Ferizaj

21/06/2017

Dy Raporte përkitazi me zvarritje të procedurave gjyqësore, njëri drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë (GjThP) dhe tjetri Gjykatës Themelore në Ferizaj (GjThF), u janë përcjellë dje autoriteteve përgjegjëse nga ana e Avokatit të Popullit.

Të dyja Raportet bazohen në ankesa individuale përkitazi me kohëzgjatjen e procedurës gjyqësore për realizimin e të drejtës pronësore sipas legjislacionit në fuqi dhe të drejtave të garantuara me Kushtetutën e vendit. Avokati i Popullit ka konsideruar se ankesat e pranuara janë të arsyeshme dhe të ligjshme.

Në Raportet e përcjella përkitazi me këto raste, Avokati i Popullit konstaton se autoritetet kanë dështuar të ofrojnë gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm, të garantuar me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Po ashtu, vonesat e tepërta në administrimin e drejtësisë, në aspektin kur pala nuk ka kurrfarë mjeti ligjor në dispozicion, përbën kërcënim të sundimit të ligjit brenda sistemit juridik vendor dhe paraqet shkelje të nenit 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Avokati i Popullit, në të dyja Raportet u rekomandon Gjykatave respektive që pa vonesa të mëtejme të ndërmerrin veprime në drejtim të shqyrtimit dhe vendosjes për rastet në fjalë, si dhe i rekomandohet Këshillit Gjyqësor të Kosovës që të iniciojë përpilimin e një instrumenti ligjor që do të përbënte mjet efektiv në kuptim të nenit 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që siguron lehtësim në formën e parandalimit apo kompensimit, lidhur me ankesat për zvarritje të procedurës gjyqësore.

Raportet me rekomandime, në formatin e tyre të plotë, u janë përcjellë dje autoriteteve përgjegjëse. Të njëjtat u janë përcjellë mediave dhe janë publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së ( Raporti me rekomandime A.nr. 597/2014 në linkun:http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/960-2017_raport_me_rekomandime_902602.pdf dhe Raporti me rekomandime A.nr. 438/2015 në linkun: http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/961-2017_raport_me_rekomandime_440865.pdf