Avokati i Popullit publikoi Raportin përkitazi me moszbatimin e kontratës së punës dhe vendimit përfundimtar në procedurë administrative

20/06/2017

Avokati i Popullit ka përcjellë tek autoritetet përgjegjëse Raportin me rekomandime në lidhje me moszbatimin e kontratës së punës dhe vendimit përfundimtar në procedurë administrative nga Drejtoria Komunale e Arsimit në Shtime i është përcjellë dje Komunës së Shtimes , me qëllim tërheqjen e vëmendjes lidhur me nevojën e ndërmarrjes së veprimeve përkatëse për zbatimin e ligjit.

Në këtë Raport, i cili bazohet në ankesë individuale, Avokati i Popullit konstaton se ankuesja i ka shfrytëzuar mjetet juridike administrative, mirëpo edhe përkundër konstatimit të shkeljeve nga ana e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit, ajo ende nuk ka mundur të rivendos të drejtën e saj për të zbatuar kontratën e saj të punës, për shkak të moszbatimit të vendimit përfundimtar në procedurë administrative nga DKA në Shtime.

Avokati i Popullit përkujton në Raport se është obligim kushtetues i shtetit që ankuesve t’u garantoj mjete ligjore efektive, gjë që nuk ka ndodhur në rastin konkret, në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe me kushtetutën, si dhe duke cenuar në këtë mënyrë barazinë para ligjit dhe të të drejtën e garantuar të punës. Së këndejmi, Avokati i Popullit konsideron se autoritetet komunale kanë dështuar në zbatimin e vendimit përfundimtar në procedurë administrative, duke cenuar në këtë rast sigurinë juridike dhe sundimin e së drejtës.
Avokati i Popullit i ka rekomanduar Komunës së Shtimes të zbatojë pa vonesa të mëtutjeshme kontratën e punës në kohë të pacaktuar nr.05/308, të datës 26.01.2016, sipas të cilës ankuesja në fjalë është arsimtare e lëndës së fizikës me 20 orë mësimi në javë, si dhe të rivendos të drejtën e fituar të mësimdhënëses sipas vendimit përfundimtar në procedurë administrative të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nr.2-1086, të datës 24.02.2017.

Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, i është përcjellë dje autoritetit përgjegjës. I njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së, në linkun: http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/948-2017,_Raport_me_rekomandime_kund%C3%ABr_Komun%C3%ABs_s%C3%AB_Shtimes_146585.pdf