Avokati i Popullit publikoi Raportin përkitazi me faturimin e energjisë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore të Republikës së Kosovës

13/06/2017

Avokati i Popullit ka publikuar sot Raportin me rekomandime lidhur me faturimin që ju bëhet qytetarëve të Republikës së Kosovës për energjinë elektrike të shpenzuar në veri të vendit.Hetimet sipas detyrës zyrtare (Ex officio) janë nisur nga ana e Avokatit të Popullit duke u bazuar në shkrimin e gazetës “Zëri”, të datës 7 prill 2017, me titull: “KEDS-i na faturon 8 milionë euro në vit për rrymën e serbëve të veriut.”

Ky Raport ka tri qëllime kryesore: vlerësimin nëse kjo praktikë e faturimit është vërtet në përputhje me legjislacionin e cituar nga ZRRE dhe Departamenti i Energjisë; vlerësimin nëse kjo praktikë e faturimit paraqet shkelje të të drejtave të njeriut, përkatësisht të së drejtës së pronës, të së drejtës për të mos u diskriminuar dhe të të drejtave të konsumatorit, si dhe dhënien e rekomandimeve specifike dhe konkrete për institucionet kompetente lidhur me veprimet që duhet të ndërmarrin për respektimin e plotë të ligjeve në fuqi dhe të të drejtave të njeriut
Pas konfirmimit që Avokati i Popullit ka marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), që energjia e shpenzuar në veri u faturohet qytetarëve në pjesët tjera të vendit, si dhe pas komunikimit me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, respektivisht Departamentit të Energjisë dhe me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit, lidhur me çështjen në fjalë, ka konstatuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi që e rregullojnë sektorin e energjisë elektrike, si dhe në kundërshtim me Ligjin për mbrojtjen e konsumatorit. Po ashtu, me këto veprime cenohen edhe dispozitat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që kanë të bëjnë me të drejtën për të mos u diskriminuar dhe të drejtën pronësore.

Rrjedhimisht, Avokati i Popullit ka rekomanduar që:
(1) ZRRE urgjentisht të ndalë praktikat e kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Republikës së Kosovës tek konsumatorët në pjesën tjetër të vendit;
(2) Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me ZRRE-në dhe KEDS-in, të gjejë një mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri të vendit, duke trajtuar të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë sipas normave kushtetuese dhe ligjore kundër diskriminimit;
(3) ZRRE-ja, në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë, të nxjerrë një vendim, me anë të të cilit do të miratohej zbritja e tarifave deri në atë masë që do të mundësonte kompensimin e konsumatorëve të cilët, padrejtësisht, janë faturuar, dhe vazhdojnë të faturohen, për energjinë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore.

Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, u është përcjellë sot autoriteteve përgjegjëse dhe i njëjti do t’i përcillet Qeverisë që do të dal nga zgjedhjet e fundit. Po ashtu, i njëjti Raport u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/915-2017,_Raport_me_rekomandime-i_skanuar_100136.pdf