Featured Image

Avokati i Popullit konstaton ndotje mbi parametrat e lejuar në pikat e derdhjeve hidraulike të Termocentraleve Kosova A dhe Kosova B

29/05/2017

Avokati i Popullit z. Hilmi Jashari me bashkëpunëtorë, i shoqëruar edhe nga një ekspert i Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, si dhe zyrtarë të Komunës së Obiliqit, vizituan fshatin Dardhishtë të Komunës së Obiliqit, respektivisht pikat e derdhjeve hidraulike nga Termocentralet Kosova A dhe Kosova B në lumin Sitnica, në po këtë fshat

Vizita u bë me qëllim që të shihet nga afër shkarkimi ujrave me ndotje industriale, të bëhet matja e nivelit të Ph-së në këto dy pika dhe të bëhet marrja e mostrave për të analizuar më detajisht nivelin e ndotjes.

Nga matjet e kryera në dy pikat e derdhjeve të ujrave të ndotura, u pa se në pikën e derdhjes hidraulike të Termocentralit Kosova A, vlera e pH-së shënonte 12.78, përderisa në grykderdhjen hidraulike të Termocentralit B, pH-së arrinte në 12.98.

Shmangiet nga standardet e pranueshme të derdhjeve industriale dëmtojnë cilësitë natyrore të ujit, në kuptimin cilësor dhe sasior dhe shkaktojnë pasoja afatgjata për njeriun dhe ekosistemin në përgjithësi, prandaj Avokati i Popullit ju bën thirrje autoriteteve përgjegjëse që të veprojnë në menyrë urgjente në pajtim me ligjet perkatëse për mbrojtjen e ambientit dhe standardet e pranueshme për cilësinë së ujit, tokës dhe ajrit.