Avokati i Popullit publikoi Mendimin Juridik në cilësinë e Mikut të Gjykatës, përkitazi me padinë e Komunës së Ferizajt kundër Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale

24/05/2017

Avokati i Popullit, i ka përcjellë Departamentit për çështje administrative në Gjykatën Themelore në Prishtinë Mendimin Juridik në cilësinë e Mikut të Gjykatës (Amicus Curiae) lidhur me padinë e Komunës së Ferizajit kundër Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) përkitazi me punësimet e personelit arsimor nga Drejtoria e Arsimit e Komunës së Ferizajt.

Ky Mendim Juridik është përqëndruar në sqarimin e procedurave ligjore përkitazi me procesin e rekrutimit të personelit arsimor, në konkurset e shpallura nga Drejtoritë Komunale të Arsimit në Republikën e Kosovës, bazuar në gjetjet dhe konstatimet e Avokatit të Popullit, pas hapjes së hetimeve sipas detyrës zyrtare sa i përket kësaj çështjeje.

Pas përmbbledhjes së fakteve dhe analizës ligjore dhe mbështetjes nga instrumentet ndërkombëtare, Avokati i Popullit ka konkluduar se neni 2, paragrafi 2, i Ligjit të Punës, i obligon DKA-të të zbatojnë dispozitat e veçanta ligjore, të cilat rregullojnë çështjen e punësimit të stafit arsimor në institucionet e arsimit parauniversitar (nenin 35 të Ligjit për Arsimin Parauniversitar; nenin 4 të Ligjit për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës; Udhëzimin Administrativ nr. 17/2009; Procedurat e zgjedhjes së personelit arsimor në shkollë; Udhëzimin Administrativ nr. 26/2013; Zgjedhja e nëpunësve për ofrimin e shërbimeve profesionale në institucionet edukative-arsimore parauniversitare).

Po ashtu, Avokati i Popullit konkludon se zgjedhja e personelit arsimor për të gjitha lëndët mësimore bëhet në bazë të Udhëzimit Administrativ nr. 05/2015, Normativi mbi mësimdhënësit e arsimit professional dhe Udhëzimi Administrativ nr. 06/2015, për Normativin mbi kuadrin professional të arsimit të përgjithshëm. Të gjitha dispozitat e përmendura parashohin zgjidhje për çështje të caktuar nga marrëdhënia e punës në institucionet arsimore dhe përbëjnë bazë të mjaftueshme ligjore, e cila kërkohet me nenin 2.2 të Ligjit të Punës.

Sipas Avokatit të Popullit, rekrutimi i stafit arsimor në institucionet arsimore duhet të bëhet në pajtim me udhëzimet, procedurat dhe standardet e përgjithshme të shpallura nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).

Mendimi Juridik ( Amicus Curiae) në formatin e tij të plotë, u është përcjellë autoriteteve përgjegjëse dhe i njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së (linku http://www.ombudspersonkosovo.org/repository/docs/Amicus_Curiae_per_GJTHP-DCA_608934.pdf