Dekaratë e Avokatit të Popullit lidhur me përfaqësimin e barabartë gjinor në listat e kandidatëve nga subjektet politike

19/05/2017

Avokati i Popullit, duke i vlerësuar zgjedhjet si proces thelbësor të shprehjes së vullnetit të lirë të qytetarëve nëpërmjet votës, në përmbushje të misionit që ka dhe si institucion i barazisë, e konsideron të rëndësishme t’u bëj thirrje partive politike që në listat e kandidatëve të cilat i dorëzohen Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), të ofrohen mundësi të barabarta për burrat dhe për gratë dhe në këtë mënyrë të respektohet Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore.

Avokati i Popullit përkujton subjektet politike se Neni 14 i këtij ligji shprehimisht thotë: “Partitë politike me aktet e tyre obligohen të zbatojnë masat për promovimin e pjesëmarrjes së barabartë të meshkujve dhe femrave në organet dhe trupat e partive, në pajtim me dispozitat e nenit 6 të këtij ligji.”, i cili Nen, ndër të tjera, specifikon se “Organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në të gjitha nivelet, si dhe institucionet tjera publike, janë të obliguara të miratojnë dhe zbatojnë masa të veçanta për të arritur përfaqësimin e gjinisë më pak të përfaqësuar, deri në arritjen e përfaqësimit të barabartë të femrave dhe meshkujve sipas këtij ligji.” ( Neni 6, pargrafi 7).

Po ashtu, Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, e saktëson qartë se “Përfaqësimi i barabartë gjinor në të gjitha organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore dhe institucionet e tjera publike arrihet kur sigurohet përfaqësim minimal prej pesëdhjetë përqind (50%) për secilën gjini, përfshirë edhe organet e tyre drejtuese dhe vendimmarrëse ( Neni 6, pargarfi 8).

Për të hequr hezitimet eventuale juridike dhe për të siguruar barazinë mes burrave dhe grave dhe zbatueshmërinë e këtij standardi të të drejtave të njeriut, Ligji nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore, i cili ka hyrë në fuqi në verën e vitit 2015, saktëson shprehimisht se “Çdo dispozitë, e cila është në kundërshtim me parimin e trajtimit të barabartë sipas këtij ligji shfuqizohet.” (Neni 5, paragrafi 2, )

Avokati i Popullit e konsideron veprim të domosodshëm dhënien e mundësive të barabarta dhe pa diskriminim mbi çfarëdo baze, në listat e kandidatëve dhe në procesin zgjedhor si tërësi. Së këndejmi, Avokati i Popullit pret nga subjektet politike që marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ashtu siç edhe nga KQZ, që të respektojnë parimin e barazisë ku sigurohet përfaqësim prej pesëdhjetë përqind për secilën gjini, duke siguruar kështu respektimin e Ligjit nr. 05/L-020 për Barazi Gjinore dhe pajtueshmërinë me frymën të cilën e përcjell Kushtetuta e Republikës së Kosovës.