Avokati i Popullit mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare përkitazi me të drejtat e njeriut në Evropë

15/05/2017

Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari I shoqëruar nga zëvendësja znj. Shqipe Ibraj Mala, ka marrë pjesë në Konferencën Ndërkombëtare me temë ” Përmirësimi i të drejtave të njeriut në Evropë: Si të rritet hapësira demokratike” (“Reclaiming Human Rights in Europe: How to Enhance Democratic space”), e cila u mbajt më 11 dhe 12 maj 2017 në Zagreb, me rastin e 25 vjetorit të themelimit të Institucionit të Ombudsmanit të Kroacisë.

Më tepër se 50 përfaqësues të institucioneve dhe organizatave të të drejtave të njeriut nga mbarë Evropa, përfshirë Komisionerin e Lartë për të Drejta të Njeriut, z. Nils Muizhnieks, Drejtorin e Agjencisë për të Drejta Fundametale z. Michael o’Flaherty, përfaqësues nga IOI, ENNHRI, Equinet, OSBE, UNDP, OHCHR, përfaqësues të ambasadave të ndryshme në Kroaci, përfaqësues të Parlamentit kroat, përfaqësues të shoqërisë civile etj. ju përgjigjen ftesës së Ombudsmanes kroate, znj. Lora Vidoviq, për të marrë pjesë në këtë ngjarje.

Në qendër të diskutimeve gjatë dy ditëve sa zgjati Konferenca ishin tema që momentalisht po e shqetësojnë Evropën, si: luftimi i terrorizmit, integrimi dhe respektimi i dallimeve, luftimi i diskriminimit, ruajtja e demokracisë në Evropë etj.

Në përmbyllje të punimeve të Konferencës u nenshkrua edhe Deklarata e Zagrebit me qëllim që të përkujtoj rolin dhe përkushtimin e institucioneve të ombudsmanëve në nivel kombetar, si dhe nëpërmjet rrjeteve të IOI, ENNHRI dhe Equinet.