Nën organizimin e Avokatit të Popullit u mbajt tryeza me temën “ Reflektim mbi rolin e medias në dinamikën e proceseve shoqërore”
Me qëllim të shënimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, nën organizimin e Avokatit të Popullit, u mbajt Tryeza e rrumbullakët me temën “Reflektim mbi rolin e medias në dinamikën e proceseve shoqërore”.
Bashkëbisedimi në këtë tryezë ritheksoi rëndësinë që ka media në funskionimin e demokracisë në një shoqëri. Respektimi i lirisë së shprehjes, lirisë së mediave dhe qasjes në dokumente publike, si të drejta të garantuara kushtetuese dhe ligjore, duhet të respektohen dhe të avancohen më tutje me zbatimin praktik të tyre, u tha nga pjesëmarrësit në këtë tryezë.
Sulmet, kërcënimet ndaj gazetarëve dhe mungesa e një ambienti të sigurtë për të ushtruar profesionin e gazetarisë; apatia dhe mosveprimi i sistemit të drejtësisë në mbrojtje të gazetarëve në përmbushje të misionit që kanë; ndërhyrjet politike në media; jotransparenca nga institucionet publike; vështirësitë në sigurimin e informacionit e qasjes në dokumente publike; mungesa e personave kompetent për komunikim në këto institucione; keqpërdorimi i pozitës së bartësve të institucioneve publike, përfshirë gjyqësorin dhe prokurorinë kundrejt gazetarëve në ushtrimin e profesionit të tyre; kushtet e punës; mungesa e kontratave të punës për gazetarët; problemet financiare të mediave etj. paraqesin vështirësitë që kanë sot gazetarët dhe media në Kosovë, u konkludua mes të tjerash në këtë tryezë.
Në funksion të krijimit të një ambienti të favorshëm për respektimin e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes, si substanciale në respektimin e të drejtave dhe lirive të garantuara në përgjithësi, dolën disa rekomandime, nëpërmjet të cilave kërkohet:
• Zbatimi praktik i ligjeve dhe garancive kushtetuese;
• Trajtimi me seriozitet dhe në mënyrë adekuate nga institucionet përgjegjëse, i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, si veprime të papranueshme e që dëmtojnë në thelb lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave;
• Sistemi i drejtësisë të trajtojë me seriozitet rastet e sulmeve dhe kërcënimeve të gazetarëve, jo vetëm si përmbushje e obligimeve kushtetuese e ligjore, por edhe si parandalim të përsëritjes së rasteve të tilla dhe në funksion të krijimit të një ambienti të sigurtë për ushtrimin e profesionit të gazetarisë;
• Domosdoshmëria e transparencës së institucioneve publike, në funksion të llogaridhënies dhe përgjegjësisë që kanë bartësit e funksioneve publike;
• Nevoja që institucionet/autoritetet publike të kenë zëdhënës/zyrtarë përgjegjës për komunikim, në dispozicion të vazhdueshëm të ofrimit të informacionit në kërkesat e gazetarëve/mediave, për temat që trajtojnë;
• Domosdoshmëria e angazhimit me përkushtim të Inspektoratit të Punës kundrejt përmbushjes së kushteve të punës për gazetarët;
Tryeza u përmbyll me idenë e një takimi të ardhshëm të përbashkët në të cilin do të të diskutohej trajtimi nga ana e Gjyqësorit i rasteve të sulmeve dhe kërcënimeve të gazetarëve.
* Avokati i Popullit vlerëson praninë dhe kontributin e e gjithë të pranishmëve në Tryezën e organizuar me rastin e Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit dhe në funksion të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit me akterët kyç në ushtrimin e lirisë së shprehjes, si thelbësore për demokracinë.