
Përfaqësuesit e Avokatit të Popullit vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike
Përfaqësuesit nga Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), konkretisht zëvendësja e Avokatit të Popullit znj. Shqipe Mala e shoqëruar nga këshilltari ligjor z. Arbër Berisha, vizituan Akademinë e Kosovës për Siguri Publike (AKSP), ku u priten nga Drejtori i Përgjithshëm, Ismail Smakiqi.
Qëllimi i kësaj vizite ishte diskutimi i përbashkët i mundësive të bashkëpunimit dhe njohja për së afërmi me zhvillimet në Akademi dhe bashkëpunimin ndërinstitucional në të ardhmen, në mes të dy institucioneve.
Gjatë takimit, drejtori z.Smakiqi i njoftoi përfaqësuesit e IAP-së për veprimtarinë dhe zhvillimet e fundit në Akademi, siç janë trajnimet dhe aktivitet tjera që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë përfshirë të gjitha periudhat që nga themelimi e deri më sot.
Me theks të veçantë, në këtë takim u diskutua për edukimin e kadetëve dhe studentëve në Akademi, lidhur me respektimin e të drejtave të njeriut, të garantuara me kushtetutën e vendit, si dhe me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare, të zbatuara në Republikën e Kosovës.
Të dyja palët u pajtuan që të angazhohen në intensifikimin e bashkëpunimit në mes këtyre dy institucioneve, në funksion të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut, zbatimit të ligjshmërisë dhe fuqizimit të sundimit të ligjit në vendin tonë.