Featured Image

U nënshkrua Aktpajtimi ndërmjet menaxhmentit dhe përfaqësuesve sindikal të RTK-së

28/04/2017

Sot, në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP), është nënshkruar Aktpajtimi ndëmjet Sindikatës së Pavarur të RTK-së (SPRTK), Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së (SPERTK), Menaxhmentit të Lartë të RTK-së dhe Bordit të RTK-së, pas dakordimit të arritur, si dhe me praninë e Avokatit të Popullit, z. Hilmi Jashari, i cili ka udhëhequr Procesin e ndërmjetësimit në këtë rast.

Avokati i Popullit e ka vlerësuar si alternativë efektive ndërmjetësimin, jo thjesht si mekanizëm juridik për zgjidhjen mospajtimeve, por edhe si hap kyç në arritjen e komunikimit të arsyeshëm ndërmjet menaxhmentit të RTK-së dhe përfaqësuesve sindikal të RTK-së.

Ushtrimi i kompetencave të Avokatit të Popullit me anë të pajtimit dhe ndërmjetësimit është e saktësuar me paragrafin 11 të nenit 16 të Ligjit organik dhe është në pajtim me rolin e përcaktuar me Kushtetutën e vendit. Aktpajtimi i nënshruar nga palët paraqet akt formal juridik për arritjen e marrëveshjes mes palëve për çështjet e parashtruara dhe të dakorduara gjatë Procesit të ndërmjetësimit.