Avokati i Popullit publikoi Raportin lidhur me zvarritjet procedurale në trajtimin e lëndëve nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme

31/01/2017

Avokati i Popullit ka përcjellë tek autoritetet përgjegjëse Raportin Ex Officio me rekomandime lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut të shkaktuara nga zvarritjet procedurale në trajtimin e lëndëve nga Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme, bazuar në 49 ankesa të ndara, aktualisht të hapura në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP). Në këtë numër ankesash nuk janë llogaritur edhe ankesat e paraqitura kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e që lidhen me çështjet që kanë të bëjnë me Dhomën e Posaçme dhe që për nga natyra janë të njëjta me ankesat kundër Dhomës së Posaçme. Raporti ka marrë parasysh edhe faktin se rastet e ankuesve kanë kaluar paraprakisht edhe nëpër një procedurë pranë Agjencisë Kosovare të Privatizimit, gjë që ndikon akoma më shumë në zvarritjen zgjidhjes së këtyre ankesave.

Avokati i Popullit në Raportin e përcjellë sot, tërheq vëmendjen e autoriteteve shtetërore për garancitë kushtetuese sa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, sipas marrëveshjeve dhe instrumenteve ndërkombëtare, në veçanti Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokolleve të saj (KEDNJ), si dhe obligimin e interpretimit të të drejtave dhe lirive të njeriut në harmoni me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).

Në Raport konstatohet se grumbullimi i lëndëve për Dhomën e Posaçme është rezultat i numrit të kufizuar me ligj të gjyqtarëve, zëvendësimit të shpeshtë të gjyqtarëve, në veçanti gjyqtarëve ndërkombëtarë dhe mungesës së këshilltarëve ligjor dhe përkthyesve. Avokati i Popullit rikujton se KEDNJ përcakton obligimin e shteteve në organizimin sistemeve të tyre të drejtësisë, në mënyrë që gjykatat të përmbushin obligimin për të shqyrtuar rastet brenda afatit të arsyeshëm, pa marrë parasysh shpenzimet që mund të shkaktohen me këtë organizim.

Kur bëhet fjalë për rastet e grumbulluara që presin të shqyrtohen, GJEDNJ dallon situatat kur kemi te bëjmë me rastet e grumbulluara për një kohë të caktuar, ku shteti mund të mos mbahet përgjegjës, nëse me kohë ka ndërmarrë veprime të duhura për përmirësim të situatës, si dhe me rastet e grumbulluara në mënyrë të vazhdueshme, për të cilat shteti mbahet përgjegjës. Në Raport pohohet se autoritetet përkatëse, me gjithë kërkesat nga Kryetari i Dhomë së Posaçme dhe ankesat e shumta të qytetarëve që janë palë në procedurë aty, duket se nuk kanë ndërmarrë veprime për përmirësim të situatës, sa i përket zgjidhjes së rasteve të grumbulluara.

Së këndejmi, Avokati i Popullit konsideron se marrja e masave nga autoritetet përkatëse të Republikës së Kosovës, konkretisht ndryshimi i Ligjit për Dhomën e Posaçme, përkatësisht i dispozitës ligjore që kufizon numrin e gjyqtarëve në Dhomën e Posaçme, është një masë urgjente në rritjen e efikasitetit të Dhomës së Posaçme.

Po ashtu, Avokati i Popullit rekomandon që Këshilli Gjyqësor i Kosovës t’i ofrojë mbështetje Dhomës së Posaçme në aspektin organizativ dhe operativ në pajtim me kërkesat dhe nevojat e funksionimit adekuat të Dhomës së Posaçme, si dhe i rekomandohet Dhomës së Posaçme të hartojë një strategji për zgjidhjen e rasteve të grumbulluara duke vendosur jo vetëm shpërndarje të barabartë të rasteve për secilin gjyqtar, por edhe norma dhe afate brenda të cilave duhet të zgjidhet numër i caktuar i lëndëve nga secili gjyqtar.

Raporti, në formën e tij të plotë, ashtu siç u është përcjellë sot autoriteteve përgjegjëse, u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqe.