
Institucioni i Avokatit të Popullit mori pjesë në Konferencën e Rrjetit të Mekanizmave Kombëtar për Parandalimin e Torturës të Evropës Juglindore në Beograd
Më 14 dhjetor 2016 në Beograd u mbajt takimi i Rrjetit të Evropës Juglindore të Mekanizmave Kombëtar për Parandalimin e Torturës (MKPT), ku mori pjesë edhe MKPT e Institucionit të Avokatit të Popullit në Kosovë, përfaqësuar nga znj. Shqipe Ibraj Mala zëvendëse e Avokatit të Popullit.
Në konkluzionet e kësaj Konference, Serbia si kryesuese e këtij rrjeti në vitin 2017 ka sqaruar se do të përpiqet që gjatë vitit të ardhshëm të organizoj dy takime në Beograd, përderisa zëvendësja e Ombudsmanit të Malit të Zi sqaroi se do të përpiqen që edhe në Mal të Zi të mbajnë një takim i tillë.
Në anën tjetër, Ombudmani i Bosnjës dhe Hercegovinës propozoi që Rrjeti t’u ndihmoj me rastin e krijimit të MKPT atje dhe me këtë rast do të mund të mbahej edhe një takim i përbashkët.
U propozua gjithashtu bashkëpunim më i mirë i MKPT-ve në fushën e migrimit nëpërmjet këmbimit të dhënave të personave kontaktues, ashtu siç edhe rifreskimit të të dhënave në listën kontaktuese të anëtarëve të Rrjetit të Ombudsmanëve.
Gjatë takimit në Beograd po ashtu u zgjodhën koordinatorët e grupeve Ligjore dhe Mjekësore, si dhe u dakorduan që koordinatorët e zgjedhur të përgatisin në periudhën e ardhshme kohore Planin e Punës së Rrjetit, pasi që deri në fund të janarit 2017 anëtarët e Rrjetit t’u kenë dërguar propozimet, në mënyrë që ata mbi bazën e këtyre propozimeve mund të hartojnë planin e përbashkët.