Reagim i Avokatit të Popullit lidhur me degradimin e procesit të hetimeve për rastin e vdekjes tragjike të Astrit Deharit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

11/11/2016

Avokati i Popullit është duke përcjellë me shqetësim rrjedhën e zhvillimeve të fundit, pas vdekjes tragjike të Astrit Deharit, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren.

Mosrespektimi i dhimbjes së familjes Dehari, me deklarata kontradiktore nga zyrtarë të autoriteteve shtetërore, si dhe rrjedhja dhe zbulimi i xhirimeve nga Qendra e Paraburgimit në Prizren, në kohën kur ka ndodh vdekja e Astrit Deharit, paraqesin shkelje sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, por gjithashtu janë shkelje të rënda të etikës profesionale.

Avokati i Popullit shpreh brengosjen për degradimin e procesit të hetimeve, përfshirë komentimin e detajuar të rrethanave lidhur me rastin, të cilat cenojnë rëndë dinjitetin dhe privatësinë e familjes në këtë fazë të vështirë për ta, që paraqesin bazën e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Me këtë rast, Avokati i Popullit tërheq vërejtjen se autoritetet publike duhet të jenë të përgjegjshme përballë detyrimeve dhe përgjegjësive që kanë, në një proces hetimor dhe jo të shndërrohen në debatues dhe komentues ordiner, me faktet dhe provat e një rasti nën hetime, jashtëzakonisht të ndjeshëm dhe kompleks.