Avokati i Popullit priti në takim kurtuazie Ambasadorin e OSBE-së, Misioni në Kosovë
Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari me bashkëpunëtorë ka pritur sot, në një takim kurtuazie, Ambasadorin e OSBE-së, Misioni në Kosovë, z. Jan Braathu, të shoqëruar nga z. Steven Fenner, zyrtar i lartë ligjor.
Avokati i Popullit e njoftoj Ambasadorin Braathu mbi strukturën e organizimit të IAP-së, si dhe punën e sfidat në funksion të përmbushjes së misionit dhe obligimeve kushtetuese dhe ligjore që ka. Ai i shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme që OSBE i ka ofruar këtij institucioni, që nga ditët e para të themelimit dhe funksionimit, duke theksuar bashkëpunimin e ndërsjellë që kanë pasur përgjatë viteve.
Ambsadori Braathu shprehu kënaqësinë e tij për takimin dhe konsideratën e tij për Avokatin e Popullit, si institucion kyç në trajtimin e ankesave, i cili duhet të mbështetet në vazhdimësi, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të njeriut dhe në funksion të ndërtimit të besimit ndërnjerëzor dhe fuqizimit të demokracisë.
Përndryshe, OSBE lanson nesër fushatën informuese të pakos së ligjeve për të drejtat e njeriut, e cila njëkohësisht avokon mbi rolin e Avokatit të Popullit, si institucion kyç në zbatimin e tri ligjeve që e përbëjnë këtë pako: Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, Ligjin për Avokatin e Popullit dhe Ligjin për barazi gjinore.