Avokati i Popullit merr pjesë në Konferencën rajonale lidhur me qasjen në të drejtën për azil dhe kthim në Maqedoni
Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Hilmi Jashari, po merr pjesë në Konferencën Rajonale, e cila po mbahet në Ohër, Maqedoni, në kuadër të Projektit të përbashkët mes UNHCHR-së, Zyra në Shkup dhe Ombudsmanit të Maqedonisë.
Tema e kësaj Konference është “Qasja në të drejtën për azil dhe kthim formal/informal i emigrantëve/refugjatëve”. Në agjendën e dy ditëve sa zgjat Konferenca, janë përfshirë diskutime për situatën përkitazi me qasjen në të drejtën për azil, nga këndvështrimi i institucioneve nacionale për të drejtat e njeriut, si dhe është diskutuar mbi observimet dhe përvojat e institucioneve të ndryshme respektive dhe të shoqërisë civile lidhur me këtë çështje.
Në cilësinë e panelistit në këtë Konferencë, Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari në fjalën e tij ka thënë se emigrimi, është fenomen që prek tërë vendin apo tërë kontinentin dhe, si një zhvillim global, nuk mund të ndikohet nga veprimet politike. Ombudspersonët, mund të mbështeten në standardet aktuale ndërkombëtare dhe ligjet kombëtare, por më pak në etikën dhe ndërgjegjen morale të autoriteteve publike- ka vazhduar ai, duke theksuar se Republika e Kosovës nuk është prekur nga vërshimi i refugjatëve, përkundër numrit të madh të refugjatëve në vendet fqinje.
Gjatë fjalimit të tij, Avokati i Popullit ka sqaruar se Republika e Kosovës nuk është nënshkruese e Konventave ndërkombëtare më të rëndësishme, të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, por marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare, më të rëndësishme, janë direkt të aplikueshme ne Republikën e Kosovës, të cilat në rast të konfliktit, kanë prioritet ndaj dispozitave të ligjeve dhe akteve tjera të institucioneve publike.
Ai, në fjalën e tij, po ashtu ka përmendur normativën ligjore dhe procedurën sa i përket çështjes së azilit në Kosovë, si dhe ka ofruar informacion lidhur me Qendrën për azilkërkues, e cila është inauguruar në Kosovë, në shkurt të vitit 2012.
Gjithashtu, Avokati i Popullit ka veçuar faktin se ligjet në Republikën e Kosovës u kushtojnë vëmendje të posaçme trajtimit dhe kujdesit të personave me nevoja të veçanta, veçanërisht fëmijëve, të miturve të pashoqëruar, të moshuarve, njerëzve me aftësi të kufizuar, grave shtatzëna, prindit të vetëm me fëmijë nën moshën madhore, dhe personave që kanë qenë viktimë e torturës, dhunimit apo ndonjë forme tjetër serioze të dhunës psikologjike, fizike dhe seksuale. Sipas ligjit në fuqi, nevojat e veçanta përkufizohen në bazë të një vlerësimi individual për secilin azilkërkues, refugjatë apo person nën mbrojtjen plotësuese apo personave nën mbrojtjen e përkohshme.
Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari, në përmbyllje të fjalës së tij, ka konkluduar se është më së e nevojshme që, Avokatët e Popullit në planin global, të kenë një qasje të unifikuar, në lidhje me mbrojtjen dhe monitorimin e të drejtave të emigrantëve. Në këtë aspekt, ai ka ngritur nevojën për plotësimin/ndryshimin e standardeve ndërkombëtare, lidhur me të drejtat e emigrantëve dhe refugjatëve, përkatësisht Konventën lidhur me Statusin e refugjatëve, e vitit 1951, meqë e njëjta nuk i trajton mjaftueshëm disa nga parimet më të rëndësishme, siç është parimi për mbrojtjen e dinjitetit dhe parimi i mos kthimit (non – refoulment).
Kjo Konferencë rajonale përmbyll punimet sot, pas sesioneve të zhvilluara me 3 dhe 4 nëntor 2016.