
Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Institucioneve të Ombudspersonëve për Forcat e Armatosura
5 tetor 2016 – Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Hilmi Jashari, po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të Institucioneve të Ombudspersonëve për Forcat e Armatosura, që po mbahet në Amsterdam, Holandë, nga 3-5 tetor 2016.
Tema e Konferencës së këtij viti është roli i Institucioneve të Ombudspersonëve, para gjatë dhe pas misioneve ndërkombëtare, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe shpërndarjen e praktikave të mira ndërmjet institucioneve të pavarura, duke synuar promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut nga forcat e armatosura dhe brenda vetë atyre, po ashtu.
Brenda gjashtë sesioneve të parapara në programin e punimeve të kësaj Konference, ishin të përfshira: çështja e misioneve ndërkombëtare – relacionet, përvojat dhe bashkëpunimi me Institucionet e Ombudspersonëve, si dhe me akterët e tjerë; çështja e veteranëve, si dhe sfidat e kaluara dhe mësimet e nxjerra për të ardhmen.
Kontributi i Avokatit të Popullit të Republikës së Kosovës ka konsistuar në çështjen e imunitetit në rastet e misioneve ushtarake ndërkombëtare, duke e konsideruar të nevojshme trysninë në mekanizmat ndërkombëtar për heqjen e imunitetit, veçmas në procedura civile dhe administrative, në shtetet nacionale ku janë të vendosura këto misione. Gjithashtu, z. Jashari ka vënë theksin edhe nevojën e njohjes së dallimit mes ombudspersonëve në vendet pritëse të misioneve ndërkombëtare dhe vendeve dërguese të këtyre misioneve.
Në përmbyllje të kësaj Konference pritet të nxirret edhe një deklaratë zyrtare, e cila do të përmbajë edhe rekomandimet përkatëse, përfshirë edhe çështjet e ngritura nga Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës.
*6 tetor 2016 – Deklaratën e Konferencës në formën e saj të plotë e gjeni në linkun e poshtëshënuar: http://media.wix.com/ugd/b86d90_56fb75df83ae445fba42e7201187055a.pdf