Raport me rekomandime i Avokatit të Popullit përkitazi me procedurën e shqyrtimit të Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës

30/09/2016

Me qëllim të interpretimit të saktë të nenit 72 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës përkitazi me procedurën e shqyrtimit të Raporteve Vjetore të organeve të pavarura, Avokati i Popullit i ka përcjellë sot një Raport me rekomandime, Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe dy Komisioneve gjegjëse Parlamentare.

Tipar kryesor i raporteve të Avokatit të Popullit është të japin informacione mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës, si dhe të paraqesin rekomandime konkrete, drejtuar institucioneve shtetërore përgjegjëse, për përmirësimin e kësaj gjendjeje, prandaj është e nevojshme që të ketë një shqyrtim përmbajtësor të të gjeturave në fushën e të drejtave të njeriut. Ky rol i Avokatit të Popullit në paraqitjen e rekomandimeve konfirmohet në Kushtetutë, si dhe në Ligjin Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit.

Raporti analizon dhe argumenton plotësimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, saktësisht nenin 72 të kësaj Rregulloreje, i cili nen përcakton procedurat e veçanta për organet e pavarura të themeluara nga Kuvendi, që do të thotë se Raporti Vjetor i Avokatit të Popullit nuk duhet t’i nënshtrohet votimit për miratim sipas procedurave të kësaj dispozite, meqë IAP nuk është institucion i themeluar nga Kuvendi, por i parashikuar drejtpërdrejt në Kushtetutë, si dhe ka natyrë të veçantë të punës.

Avokati i Popullit në Raportin e tij konstaton se në funksion të respektimit të plotë të standardeve ndërkombëtare dhe evropiane për të drejtat e njeriut, Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të luajë rol kyç në mbikëqyrjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve që Avokati i Popullit u ka drejtuar autoriteteve përgjegjëse.

Së këndejmi, Avokati i Popullit, në Raportin e tij, i rekomandon Kuvendit të Republikës së Kosovës që të sqarojë shprehimisht se procedurat e veçanta për shqyrtimin e “raportit vjetor të organit të pavarur, që është i themeluar nga Kuvendi”, të përcaktuara në nenin 72 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe votimin për miratimin e raportit, nuk zbatohen për Raportin Vjetor të Avokatit të Popullit. Po ashtu, Kuvendit i rekomandohet të plotësojë Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës për të përcaktuar procedura të posaçme për shqyrtimin e Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit, duke përfshirë mbikëqyrjen e nivelit të zbatimit të rekomandimeve të tij nga ana e autoriteteve të tjera shtetërore.

Raporti me rekomandime përkitazi me Procedurën e shqyrtimit të Raportit Vjetor të Avokatit të Popullit sipas Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës gjendet i hapur për publikun në web faqen zyrtare të IAP-së si dhe u shpërndahet mediave.