Avokati i Popullit kërkon masë të përkohshme nga Ministria e Drejtësisë për personat në vuajtje të dënimit në moshë të shtyrë dhe me kërkesa specifike shëndetësore

29/09/2016

Institucioni i Avokatit të Popullit, respektivisht Mekanizmi Kombëtar për Parandalim (MKP) të torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese, i themeluar nga Avokati i Popullit në janar të këtij viti, në kuadër të përgjegjësive ligjore që ka, dje me datë 26 shtator 2016, ka vizituar Qendrën Korrektuese (QK) në Dubravë.

Gjatë kësaj vizite, MKP ka qëndruar në Spitalin e Burgut të Dubravës, me ç’rast ka pranuar ankesa të ndryshme nga personat që janë në vuajtje të dënimit, të moshave të ndryshme, duke përfshirë edhe ata mbi 85 vjeç, të palëvizshëm, pa përkujdesje shëndetësore, me rrobe të lagura nga urina dhe fecesi, në shtretër pa çarçafë dhe batanije, nën ethe dhe të ftohtë, kurse stafi dhe të gjithë personat e tjerë të këtij objekti i ishin të ekspozuar kundërmimit të rëndë.

Gjatë kësaj kohe, MKP kishte takuar personat përgjegjës të spitalit dhe kishte kuptuar se këta të burgosur ishin jashtë QK-së për më shumë se tri vite, meqë iu ishte pezulluar dënimi, duke marrë parasysh moshën e tyre dhe natyrën e sëmundjes. Ata ishin rikthyer në vuajtje të dënimit, në bazë të një vendimi të marrë para pak kohe nga Ministrja e Drejtësisë.

Duke pasur parasysh se rikthimi i këtyre personave në QK e ka bërë të pamundshëm trajtimin adekuat në pajtim me nevojat e tyre, Avokati i Popullit i rekomandon Ministrisë së Drejtësisë aplikimin e Masës së Përkohshme në zbatimin e vendimit, e cila nënkupton që të gjithë personat me gjendjen shëndetësore të lartpërmendur, të dërgohen urgjentisht për trajtim shëndetësor nëpër institucionet e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, në pajtim me nevojat shëndetësore, në mënyrë që t’iu mundësohet trajtimi shëndetësor adekuat.

Ky rekomandim bazohet në paragrafin 5, të nenit 18, të Ligjit Nr.05/L-019, për Avokatin e Popullit dhe përmbush qartazi kriterin substancial për Masë të Përkohshme, për shkak se pamundësia e ofrimit të kujdesit të nevojshëm shëndetësor nga autoritetet përgjegjëse mund të konsiderohet si shkelje e dinjitetit të njeriut, shkelje e të drejtës për jetën, mosrespektim i normave për ndalimit të torturës dhe trajtimeve e ndëshkimeve të tjera mizore, jonjerëzore dhe poshtëruese, shkelje e të drejtës shëndetësore si dhe mosrespektim të detyrimeve pozitive, të drejta këto të garantuara me Kushtetutën e vendit dhe me instrumentet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat janë drejtpërdrejt të zbatueshme në Republikën e Kosovës.

Avokati i Popullit në shkresën dërguar autoriteteve përgjegjëse kërkon që Masa e Përkohshme të mbetet në fuqi derisa të përfundohet hetimi lidhur me këtë çështje dhe të publikohet Raporti me të cilin do të jepen edhe rekomandime konkrete për masat që duhen të ndërmarrin autoritet përgjegjëse, si dhe pret të informohet për veprimet që do të ndërmerren, si përgjigje ndaj rekomandimit për Masë të Përkohshme, brenda një afati të arsyeshëm kohor, por jo më vonë se deri më 12 tetor 2016