Avokati i Popullit ka publikuar Mendimin Juridik lidhur me aktgjykimet e gjykatave për çështje të njëjta, por përfundime të ndryshme

16/09/2016

Avokati i Popullit ka përcjellë sot tek autoritetet përgjegjëse Mendimin Juridik, në cilësinë e Amicus Curiae (Mikut të Gjykatës), lidhur me rastin e 406/2016, Nazmi Abazi dhe të tjerët.

Rastet e shumta kur Gjykatat vendore nxjerrin aktgjykime mbi raste që shtjellojnë të njëjtën çështje ligjore, por që dallojnë në rezultatin e tyre, e kanë shtyrë Avokatin e Popullit të paraqes këtë Mendim Juridik, i cili përmbledh qëndrimin e tij lidhur me këtë çështje.

Duke lëshuar aktgjykim të ndryshëm për të njëjtën çështje, gjykatat vënë në pikëpyetje çështjen e sigurisë juridike dhe të drejtën e paraparë me Kushtetutë dhe me instrumente të tjera ligjore për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Kjo amicus curiae përqendrohet në sigurinë ligjore si parim themelor i sundimit të Ligjit, me fokus në aktgjykimet gjyqësore të lëshuara nga gjykatat në çështjet e gjykuara. Parandalimi i pasigurisë ligjore i kontribuon rritjes së besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor, avancimit të sundimit të ligjit dhe ndalesës së shkeljeve të të drejtave të njeriut të garantuara me instrumentet ndërkombëtare dhe Kushtetutë..

Në këtë mendim Juridik, Avokati i Popullit konkludon se me lëshimin e aktgjykimeve të ndryshme për të njëjtën çështje, gjykatat shkelin të drejtën në gjykim të drejtë, të garantuar nga Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut (KEDNJ) dhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Për të parandaluar përsëritjen e kësaj gjendje dhe me synim të shmangies së pasigurisë së mëtejme juridike, Avokati i Popullit konsideron se duhet t’i kushtohet vëmendje praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila përcakton se garancat e parapara me KEDNJ përfshijnë obligimin për gjykata që të japin arsyetim të mjaftueshëm për vendimet e tyre dhe se aktgjykimet përfundimtare nuk mund të vihen në pikëpyetje nga aktgjykimet e tjera. Po ashtu, duhet t’i kushtohet rëndësi obligimit të gjykatave për të publikuar vendimet përfundimtare, të cilat ndikojnë në sigurinë ligjore.

Opinioni në formën e tij të plotë, u është përcjell sot mediave dhe i njëjti mund të gjendet në web faqen zyrtare të IAP-së.