Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare të nivelit të lartë në Tiranë

07/09/2016

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës, z. Hilmi Jashari, po merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare dy ditore të Nivelit të Lartë, me temë  “Sfidat e Institucioneve te Ombudsmanit përballë flukseve të  përziera migratore”, e cila po mbahet në Tiranë.

Gjatë paraqitjes së tij, z. Jashari ka theksuar nevojën e rishikimit të standardeve ndërkombëtare lidhur me refugjatët, përkatësisht të Konventës së vitit 1951 lidhur me Statusin e Refugjatëve, meqë e njëjta nuk arrin të trajtojë disa koncpete të rëndësisë parësore, siç është parimi i mbrojtjes së dinjitetit dhe të parimit të mos kthimit.

Më tutje, në prezantimin e tij, z. Jashari ka theksuar se migracioni është fenomen që nuk prek shtetet dhe kontinentet veç e veç, por ka qenë dhe mbetet zhvillim global. Që nga migrimet e para të regjistruara edhe në librat e shenjtë e deri sot, kanë ndryshuar në një masë vetëm faktorët social dhe ekonomik (faktorët shtytës dhe tërheqës). Së këndejmi, Ombudsmanët duhet të zhvillojnë standard unike lidhur me monitorimin dhe me mbrojtjen në nivel global, sepse qasja selektive dhe në baza ad hoc, nuk mund të jetë më qasje e pranueshme, duke pasur në konsideratë ndikimin global të migracionit, ka thënë në fjalën e tij Avokati i Popullit, z. Hilmi Jashari.

Nikoqir i kësaj Konference që po mbahet në Tiranë është Avokati i Popullit i Shqipërisë, i cili, duke qenë gjithashtu, në krye të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM), në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar të Ombudsmanëve (IOI) , me Shoqatën e Ombudsmanëve dhe Mediatorëve të Frankofonisë (AOMF) dhe Fedartaën Ibero – Amerikane të Ombudsmanëve (FIO), kanë finalizuar organizmin e kësaj Konference, në të cilën po marrin pjesë Ombudsmanë nga rajoni dhe bota, përfshirë këtu edhe pjesëmarrjen e znj. Kate Gilmore, Zëvendës Komisionere e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.