Opinioni i Avokatit të Popullit lidhur me çështjen e njohjes dhe verifikimit të statusit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës
Me qëllim të ofrimit të një zgjidhje të përshtatshme juridike, pas një debati të gjatë dhe pakënaqësive të shprehura lidhur me punën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avokati i Popullit ka publikuar sot një opinion në lidhje me procedurat e ankimimit të vendimeve administrative lidhur me këtë çështje.
Më 1 qershor 2016, Qeveria e Republikës së Kosovës pati miratuar Vendimin nr. 05/90, me të cilin ka aprovuar raportin e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të Kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke miratuar evidencën e prezantuar nga Komisioni dhe duke e lënë të hapur shqyrtimin dhe miratimin e Listës përfundimtare, në të ardhmen.
Në Opinionin e tij, Avokati i Popullit konstaton se Vendimi në fjalë, nuk është në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe së këndejmi shkel të drejtat e procedurës së rregullimit të statusit të veteranit të luftës.
Avokati i Popullit e konsideron të nevojshme që Qeveria e Republikës së Kosovës të rishikoi punën e Komisionit Qeveritar sa i përket dispozitave ligjore përkitazi me respektimin e afateve kohore, mungesa e të cilave e pamundëson të drejtën e ankimimit kundër vendimit të nxjerrë nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin të Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit apo të Internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Përcaktimi i afateve mundëson të drejtën e ankimimit në Gjykatën kompetente, ashtu siç e parasheh Ligji për Konfliktet Administrative, qëllimi i të cilit është mbrojtja gjyqësore e të drejtave të personave fizik dhe juridik, interesa këto që mund të jenë cenuar me vendime individuale ose me veprimet e organeve të administratës publike.
Së këndejmi, Avokati i Popullit e konsideron të nevojshëm ndryshimin e Rregullores mbi Komisionin Qeveritar, sa i përket dispozitave që përcaktojnë afatet kohore për nxjerrjen e vendimeve të Komisionit Qeveritar, pas ankesës dhe përcaktimit shprehimor të natyrës së vendimeve të Komisionit të Posaçëm për rishqyrtim të ankesave (vendosja përmes aktit përfundimtar administrativ).
Po ashtu, Avokati i Popullit e sheh të nevojshëm ndryshimin e Rregullores mbi Komisionin Qeveritar edhe në aspekt të përbërjes së Komisionit të Posaçëm për rishqyrtim të ankesave. Aktualisht, anëtarët përzgjidhen nga radhët e anëtarëve të Komisionit Qeveritar, të cilët po ashtu kanë marrë vendimin në shkallë të parë, gjë që nuk paraqet alternativën e duhur.
Opinioni në formën e tij të plotë, u është përcjell sot mediave dhe i njëjti mund të gjendet në web faqen zyrtare të IAP-së: Kliko këtu