Avokati i Popullit publikoi Raportin lidhur me mospërmbarim të aktgjykimit të plotfuqishëm
Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës publikoi sot Raportin përkitazi me Ankesën nr. 303/2015 lidhur me mospërmbarimin e aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës Komunale – tani Gjykata Themelore në Prizren (C.nr.462/10, të datës 21.12.2011)
Raporti është bazuar në ankesë individuale të paraqitur në Institucionin e Avokatit të Popullit (IAP) kundër Gjykatës Themelore në Prizren, përkitazi me mospërmbarimin e aktgjykimit të plotfuqishëm përmbarues të Gjykatës Themelore në Prizren, si dhe me pretendimet e palës për trajtim të pabarabartë dhe shkelje të parimit të barazisë para ligjit dhe mosrespektim të Ligjit për procedurën përmbarimore në lidhje me veprimet e ndërmarra në procesin e përmbarimit të vendimit.
Pas mbledhjes së fakteve dhe analizës së instrumenteve ligjore vendore dhe ndërkombëtare, Avokati i Popullit ka konstatuar se:
- autoritetet nuk i kanë ndërmarrë masat e domosdoshme për përmbarimin e aktgjykimit dhe së këndejmi ka ardhur deri te shkelja e të drejtës për një gjykim të drejtë brenda një afati të arsyeshëm të garantuar me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
- në mungesë të një mjeti juridik efektiv, në kuptim të shkeljes të së drejtës për një proces të rregullt brenda një afati të arsyeshëm, të garantuar me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ka pasur shkelje të të drejtave të palës për mjet ligjor efektiv të garantuar me nenin 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në bazë të këtyre konstatimeve, dhe në përputhje me nenin 135, par. 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 16, paragrafi 4 dhe 8 të Ligjit Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit rekomandon :
Gjykatën Themelore në Prizren :
- Duke marrë parasysh vonesat e mëhershme, të sigurojë që Gjykata Themelore në Prizren në afat sa më të shkurtër të mundshëm kohor, pa vonesa të mëtejshme, të ndërmarrë masat e duhura dhe të nevojshme për ekzekutimin dhe zbatimin konsekuent të vendimit të formës së prerë të Gjykatës Komunale në Prizren P.nr.462/10, të datës 21.12.2011 me qëllim që pa vonesa të mëtejshme të mbrohet e drejta e pronës së znj. Gjorgjeviq, në përputhje me ligjin, si dhe normat dhe standardet në lidhje me respektimin e të drejtave të njeriut.
Këshillin Gjyqësor të Kosovës :
- Të inicioj përpilimin e një instrumenti ligjor që do të përbënte një mjet efektiv në kuptim të nenit 13 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që siguron lehtësim në formën e parandalimit apo kompensimit lidhur me ankesat për zvarritje të procedurës gjyqësore.
- Të sigurohet barazia e përdorimit të gjuhëve zyrtare në të gjitha gjykatat, në mënyrë që të gjitha procedurat, dokumentet, informatat dhe dokumentet në lidhje me procedurat të lëshohen brenda një kohe të arsyeshme në gjuhën zyrtare të palëve.
Zyrën e Prokurorit Disiplinor:
· Zyra e Prokurorit Disiplinor të hetojë rastin që ka të bëjë me kohëzgjatjen e procedurës së përmbarimit, si dhe shpërdorimin e mundshëm të detyrës nga zyrtarët përgjegjës.
Raporti në fjalë, në formën e tij të plotë, u është përcjell autoriteteve përgejgjëse, sot më datë 12 gusht 2016. Në pajtim me nenin 132, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 28 të Ligjit Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit pret të informohet me shkrim për veprimet e ndërmarra lidhur me çështjen në fjalë, brenda afatit tridhjetë ditor.
Raportin Nr. nr. 303/2015 lidhur me mospërmbarimin e aktgjykimit të plotfuqishëm të Gjykatës Komunale – tani Gjykata Themelore në Prizren (C.nr.462/10, të datës 21.12.2011), ashtu siç u është përcjellë autoriteteve përgjegjëse, e gjeni të publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së (KETU). I njëjti, gjithashtu u shpërndahet mediave.