Avokati i Popullit publikoi Raportin përkitazi me pushimin e hetimit të veprave penale të korrupsionit
Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Ex Officio, Raportin me rekomandime lidhur me Pushimin e hetimit të veprave penale të korrupsionit, sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, neni 159.
Ky Raport ka tri qëllime kryesore:
(1) të ofrojë një interpretim të saktë të konceptit të pushimit të hetimit sipas nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale;
(2) të vlerësojë, posaçërisht nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut, problemin e pushimit automatik të hetimit të veprave penale të korrupsionit;
(3) në bazë të këtij vlerësimi, t’u japë rekomandime institucioneve shtetërore për zgjidhjen më të drejtë dhe më efikase të problemit.
Raporti nxjerr në pah përkufizimin ligjor të termit “korrupsion” sipas Ligjit Nr. 03/L-159 për Agjencinë Kundër Korrupsionit. Sipas këtij ligji, korrupsioni përfshin “çdo keqpërdorim të pushtetit apo çdo sjellje tjetër me qëllim të arritjes së një përparësie apo përfitimi të kundërligjshëm për veten apo për tjetrin” (id., neni 2, par. 1, nën paragrafi 3).
Raporti përmban analizën ligjore lidhur me veprat penale të korrupsionit sipas Kodit Nr. 04/L-082, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, i cili në Kapitullin XXXIV specifikon 16 vepra penale të korrupsionit zyrtar dhe kundër detyrës zyrtare. Po ashtu, Raporti analizon edhe fazat e procedurës penale, si dhe pushimin e hetimit të veprave penale të Korrupsionit sipas Kodit Nr. 04/L-123, Kodi i Procedurës Penale.
Më tutje në Raport analizohen interpretimet kontradiktore të nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve dhe elaborohet interpretimi i koncepteve “përfundim i hetimeve” dhe pushim i hetimeve”, sipas nenit 240 të Kodit të Procedurës Penale. Avokati i Popullit në analizën e vet konsideron se problemi i mos ngritjes së aktakuzave pas pushimit të hetimit sipas nenit 159, mund të zgjidhet vetëm me ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale nga ana e Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, Raporti ofron edhe sqarimin përkitazi me lidhjen ndërmjet ndjekjes së rasteve të korrupsionit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut, duke theksuar se veprat penale të korrupsionit kanë pasoja të dëmshme për respektimin e të drejtave të njeriut, ashtu siç tërheq vërejtjen se Interpretimet jokonsistente të nenit 159 të Kodit të Procedurës Penale paraqesin shkelje të së drejtës për barazi para ligjit, si dhe rrezikojnë sigurinë juridike.
Si zgjidhje të mundshme legjislative të problemit, më efikase dhe më të thjesht, Avokati i Popullit e konsideron ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, në mënyrë që Kodi i Procedurës Penale të mos përcaktojë asnjë afat specifik për përfundimin e hetimit dhe ngritjen e aktakuzës kundër veprave penale të përcaktuara në Kapitullin XXXIV të Kodit Penal. Me heqjen e afatit për raste të tilla, prokurorët nuk do të kishin asnjë pengesë në ndjekjen e rasteve të korrupsionit pas dy vjetëve të hetimit, përveç afateve të parashkrimit të përcaktuara në nenin 106 të Kodit Penal, ashtu siç nuk do të mund ta shfrytëzonin afatin e tanishëm dyvjeçar, si justifikim për të mos u marrë me një rast të ndërlikuar nga ana e substancës ose të ndjeshëm nga ana politike.
Në bazë të vlerësimit të mësipërm, Avokati i Popullit konstaton se:
(1) Neni 159 i Kodit Nr. 04/L-123, Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës, interpretuar saktë, vendos një afat dyvjeçar mbi fazën hetimore të lëndëve penale, pas të cilit pushohet hetimi dhe nuk lejohet ngritja e aktakuzës;
(2) Problemi i mosndjekjes efikase të veprave penale të korrupsionit shkakton pasoja negative për respektimin e të drejtave të njeriut;
(3) Interpretimet kontradiktore të neni 159 të Kodit të Procedurës Penale mes gjyqtarëve dhe prokurorëve të ndryshëm, paraqesin shkelje të së drejtës për barazi para ligjit, si dhe rrezikojnë sigurinë juridike;
(4) Qarkoret e nxjerra nga Gjykata Supreme nuk arrijnë qëllimin e zbatimit unik të ligjeve dhe japin vetëm një iluzion të sigurisë juridike;
(5) Ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale për të hequr afatin dyvjeçar për të gjitha veprat penale të Kapitullit XXXIV, “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, të Kodit Nr. 04/L-082, Kodi Penal i Republikës së Kosovës, është zgjidhja më efikase e mosndjekjes adekuate të rasteve të korrupcionit dhe nuk do të paraqiste shkelje të së drejtës për gjykim brenda një kohe të arsyeshme.
Së këndejmi, Avokati i Popullit, Rekomandon që Kuvendi i Republikës së Kosovës:
1) të ndryshojë nenin 159 të Kodit Nr. 04/L-123, Kodi i Procedurës Penale, për të hequr afatin dyvjeçar për të gjitha veprat penale të Kapitullit XXXIV “Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës Nr. 04/L-082.
Raporti i plotë i Avokatit të Popullit lidhur me Pushimin e hetimit të veprave penale të korrupsionit, sipas Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, neni 159, u është përcjell autoriteteve përgejgjëse, sot më datë 5 gusht 2016.
Në pajtim me nenin 132, paragrafi 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 28 të Ligjit për Avokatin e Popullit nr. 05/L-019, Avokati i Popullit pret të informohet për veprimet që do të ndërmerren, si përgjigje ndaj rekomandimeve në këtë Raport, brenda një afati 30 ditor.
Raportin me rekomandime në formën e tij të plotë, ashtu siç u është përcjellë autoriteteve përgjegjëse, e gjeni të publikuar KËTU në ueb faqen zyrtare të IAP-së . I njëjti, gjithashtu u shpërndahet mediave.