Avokati i Popullit publikoi dy Raporte lidhur me moszbatimin e vendimeve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit

20/07/2016

20 korrik 2016 – Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar dy Raporte të ndara me rekomandime, lidhur me moszbatimin e vendimeve nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP).

Qëllimi i këtyre dy raporteve është tërheqja e vëmendjes Agjencisë Kosovare te Privatizimit (AKP), lidhur me nevojën e ndërmarrjes së veprimeve përkatëse për zbatimin e vendimit të plotfuqishëm me nr. PRZ004-0042, të datës 28 qershor 2011 dhe zbatimin e vendimit të plotfuqishëm me nr. PRZ004-0054, të datës 28 qershor 2011, pa vonesa të mëtutjeshme.

Këto Raporte janë bazuar në ankesa individuale të ankuesve dhe mbështeten në faktet dhe provat e ankuesve, si dhe nga shkresat e lëndëve, të cilat i posedon Institucioni Avokatit të Popullit (IAP), lidhur me zvarritjen e procedurave në zbatimin e këtyre vendimeve.

Kompetenca e Avokatit të Popullit lidhur me trajtimin e këtyre dy rasteve bazohet në nenin 135, paragrafi 3, të Kushtetutës, si dhe Ligji Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, neni 18 paragrafi 1.2.

Pas përmbledhjes së fakteve dhe analizës ligjore lidhur me rastet veç e veç, Avokati i Popullit, në cilësinë e rekomanduesit, nisur nga parimi i zbatimit të ligjshmërisë, qëllimin e mirë për përmirësimin e punës dhe rritjen e shkallës së ligjshmërisë për zbatimin e vendimeve të formës së prerë, si dhe për një zgjidhje ligjore të këtij problemi, në pajtim me nenin 135, paragrafi 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e vlerëson të arsyeshme që t’i rekomandojë Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP):

Për marrjen e masave të menjëhershme për zbatimin e vendimit të formës së prerë në lëndën nr. PRZ004-0042, të datës 28 qershor 2011 dhe në lëndën nr. PRZ004-0054, të datës 28 qershor 2011.

Raportet e plota të Avokatit të Popullit, lidhur me Ankesën nr. 113/2016 dhe Ankesën nr.114/2016, lidhur me moszbatimin e vendimeve nga AKP, në lëndën nr. PRZ004-0042, të datës 28 qershor 2011 dhe në lëndën nr. PRZ004-0054, të datës 28 qershor 2011, i janë drejtuar më 15 korrik 2016 z. Petrit Gashi, Kryesues dhe Drejtor në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Në pajtim me nenin 132, paragrafi 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 28 të Ligjit për Avokatin e Popullit nr. 05/L-019, Avokati i Popullit pret të informohet për veprimet që do të ndërmerren, si përgjigje ndaj rekomandimeve në këtë Raport, brenda një afati të arsyeshëm kohor, por jo më vonë se deri më 16 gusht 2016.

Raportin lidhur me Ankesën nr. 113/2016 dhe Raportin lidhur me Ankesën nr. 114/2016,  në formën e tyre të plotë, ashtu siç u janë përcjellë autoriteteve përgjegjëse, i gjeni të publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së. Të dy Raportet, gjithashtu, u shpërndahen mediave.