Avokati i Popullit publikoi Raportin lidhur me kontrollet e paautorizuara të KEDS-it në pronat private
Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar Raportin me rekomandime lidhur me kontrollet e paautorizuara të KEDS-it në pronat private dhe hapësirat e banimit të konsumatorëve, i cili është bazuar në ankesa të qytetarëve lidhur me këtë çështje.
Qëllim i këtij raporti është njoftimi i Prokurorisë së Shtetit për pretendimet lidhur me kontrollet e paautorizuara në pronat private dhe hapësirat e konsumatorëve nga ana e KEDS-it, si dhe tërheqja e vëmendjes së KEDS-it, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji lidhur me shkeljet e mundshme të të drejtave të njeriut.
Kompetenca e Avokatit të Popullit bazohet në nenin 16, paragrafi 5, i Ligjit për Avokatin e Popullit, që përcakton se: “[N]ëse Avokati i Popullit gjatë kryerjes së hetimeve vëren se ka elemente të veprës penale e informon organin kompetent për fillimin e hetimeve.”
Po ashtu, bazuar në nenin 18, paragrafi 1.2, të Ligjit për Avokatin e Popullit Nr. 05/L-019, Avokati i Popullit ka përgjegjësi “[t]ë tërheqë vëmendjen për rastet kur autoritetet i shkelin të drejtat e njeriut dhe të bëjë rekomandime që t’u jepet fund rasteve të tilla dhe kur është e domosdoshme të shprehë mendimin e vet mbi qëndrimet dhe reagimet e autoriteteve përkatëse në lidhje me rastet e tilla.”
Avokati i Popullit, menjëherë pas pranimit të ankesës nga ankuesi i parë, më 29 janar 2016 pati kërkuar nga KEDS-i vendosjen e masës së përkohshme, me të cilën rekomandohej pezullimi i aktiviteteve të KEDS-it në kontrollimin e banesave, për shkak se kontrolli i paautorizuar i banesës mund të shkaktojë shkelje të së drejtës në privatësi.
Më tutje, Avokati i Popullit dhe drejtori i përgjithshëm i KEDS-it, kanë pasur korrespodencë, për të cilën janë mbajtur të njoftuar me kopje edhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, nga të cilët, Avokati i Popullit nuk ka pranuar asnjë reagim.
Avokati i Popullit ka analizuar dispozitat e ligjeve, rregullave dhe procedurave të cilave u referohet KEDS-i dhe ka konstatuar se, kundrejt pretendimeve të kundërta – të ankuesve në njërën anë dhe në anën tjetër KEDS-it, si palë përgjegjëse -mbetet kompetencë e prokurorive përkatëse për të kryer hetime, rreth mënyrës se si KEDS-i i ka kryer kontrollet nëpër pronat e konsumatorëve.
Avokati i Popullit ka rikujtuar se kontrollet në objektet private për dyshime të veprave penale mund të bëhen vetëm me urdhër gjyqësor nga ana e policisë, duke respektuar Dispozitat e Kodit të Procedurës Penale Nr. 04/L-123, përkatësisht, në pajtim me nenin 105 dhe 108 të Kodit. Avokati i Popullit, po ashtu, rikujton se kontrollet e kundërligjshme janë të sanksionuara me nenin 201, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, Nr.04/L-082
Avokati i Popullit tërheqë vëmendjen e KEDS-it, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Zyrës së Rregullatorit për Energji se kontrollet eventuale të paautorizuara, paraqesin shkelje të së drejtës së privatësisë, të garantuar me nenin 36, paragrafi 1 dhe 2, të Kushtetutës së vendit.
Po ashtu, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ), garanton të drejtën në respektimin e jetës private dhe familjare.
Avokati i Popullit tërheqë vëmendjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Zyrës së Rregullatorit për Energji në nenin 3, paragrafin 2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ku thuhet se: “Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektim të plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht, si dhe në mbrojtjen e të drejtave dhe pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre.”
Së këndejmi, duke u nisur nga parimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së efikasitetit të autoriteteve, Avokati i Popullit, në pajtim me nenin 135, paragrafin 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenit 16, paragrafi 5 dhe nenit 18, paragrafi 1.2, të Ligjit për Avokatin e Popullit, rekomandon që:
1. Zyra e Kryeprokurorit të Kosovës të kërkojë nga prokuroritë kompetente themelore fillimin e hetimeve ndaj zyrtareve përgjegjës të Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, lidhur me kontrolle të paautorizuara, nëpër hapësirat e banimit dhe të pajisjeve elektrike, që janë pronë e konsumatorëve.
2. Kompania Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike:
a. të ndërpresë hyrjet e paautorizuara në banesa ose në cilindo objekt privat, për kontrollimin eventual të pajisjeve elektrike, pronë private e konsumatorëve.
b. të avancojë rrjetin e shpërndarjes dhe të instalimeve në atë mënyrë që të jetë në gjendje të kontrollojë humbjet e energjisë elektrike, duke i evituar në tërësi kontrollet në pronat e konsumatorëve, në veçanti kontrollet brenda hapësirave të banimit të konsumatorëve; dhe
c. në rastet kur ka dyshime për keqpërdorim apo humbje të energjisë elektrike, të kërkojë nga organet kompetente fillimin e hetimeve.
3. Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Zyra e Rregullatorit për Energji të mbrojnë të drejtat e qytetarëve të Republikës së Kosovës, ashtu sikur që është përcaktuar me Kushtetutë, në raport me Kompaninë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike, e cila si kompani private ushtron një autorizim publik në Republikën e Kosovës.
Raporti i plotë i Avokatit të Popullit lidhur me Ankesën nr: 6/2016 dhe Ankesën nr: 120/2016, lidhur me kontrollet e paautorizuara të KEDS-it në pronat private dhe hapësirat e banimit të konsumatorëve, i është drejtuar më 14 korrik 2016 z. Aleksander Lumezi, Kryeprokuror i Shtetit; z. George Karagutoff, Drejtor i Përgjithshëm në KEDS; z. Blerand Stavileci, Ministër i Zhvillimit Ekonomik; z. Enver Halimi, Zyra e Rregullatorit për Energji. Po ashtu, për Raportin, janë vënë në dijeni: z. Habit Hajredini, Zyra për Qeverisje të Mirë, pranë zyrës së Kryeministrit dhe znj. Lirije Kajtazi, kryetare e Komisionit për të Drejtat Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione.
Në pajtim me nenin 132, paragrafi 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 28 të Ligjit për Avokatin e Popullit nr. 05/L-019, Avokati i Popullit pret të informohet për veprimet që do të ndërmerren, si përgjigje ndaj rekomandimeve në këtë Raport, brenda një afati të arsyeshëm kohor, por jo më vonë se deri më 15 gusht 2016.
Raportin me rekomandime në formën e tij të plotë, ashtu siç u është përcjellë autoriteteve përgjegjëse, e gjeni të publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së ( KËTU). I njëjti, gjithashtu u shpërndahet mediave.