Shënimi i Ditës së Fëmijëve nga Institucioni i Avokatit të Popullit
Dita e Fëmijëve shënohet më 1 qershor të çdo viti nga shumë vende të botës . 1 Qershori u shpall ditë ndërkombëtare e fëmijëve në konferencën botërore për mirëqenien e fëmijëve më 1925, në Gjenevë të Zvicrës. Atë ditë, 54 shtete pjesëmarrëse miratuan Deklaratën e Gjenevës për Mbrojtjen e Fëmijëve. Zakonisht në këtë ditë ndërmerren aktivitete të ndryshme për të gëzuar fëmijët si dhe për të promovuar mirëqenien dhe të drejtat e tyre.
Më 1 Qershor, me rastin e shënimit të kësaj dite përfaqësues të IAP-së do të mbajnë takime me fëmijët e Prishtinës, Graçanicës, Mitrovicës, Prizrenit, Gjilanit, Gjakovës dhe Ferizajt. Gjatë këtyre takimeve fëmijët do të informohen me mandatin e IAP-së në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, përkatësisht do të kenë mundësinë që të dëgjohen nga përfaqësuesit e IAP-së.
Takimet me fëmijë do të mbahen afër zyrave rajonale të IAP-së dhe ne ambientet e shkollave (Graçanicë), ndërsa në Prishtinë do të mbahet në sheshin “Ibrahim Rugova”. Takimet në Prishtinë do të mbahen nga ora 11: 00 – 14 :00, ndërsa në qytetet e tjera nga ora 12:00-14:00.