Avokati i Popullit i Kosovës në vizitë zyrtare në Tiranë
Tiranë, 3 maj 2016 – Me ftesë të Avokatit të Popullit të Shqipërisë, z. Igli Totozani, sot, ishte në Tiranë në një vizitë zyrtare Avokati i Popullit të Kosovës, Z. Hilmi Jashari i shoqëruar nga një delegacion i këtij institucioni.
“Qytetarët në Shqipëri dhe Kosovë kanë problematika të ngjashme dhe gjenden përpara sfidave të rëndësishme, sic është ajo e integrimit dhe e rritjes së standardeve të jetesës”, tha z. Totozani në takimin me z. Jashari. Avokati i Popullit të Shqipërisë tha se po punojmë intensivisht për të rritur në një nivel të ri marrëdhëniet e bashkëpunimit me zyrën e Ombudsmanit të Kosovës, në mënyrë që për ato raste të ankesave të qytetarëve shqiptarë, të cilat ne nuk mund t’i ndjekim për shkak të mungesës së kompetencave, t’i adresojmë për zgjidhje pranë Avokatit të Popullit të Kosovës dhe anasjelltas.
Bashkëpunimi mes Ombudsmanëve të Shqipërisë dhe Kosovës është shtrirë përmes një marrëveshje të përbashkët në fushën e Mekanizmit të Parandalimit të Torturës dhe trajtimit të personave me kufizim lirie. Gjithashtu po vlerësojmë alterantiva për trajnime të përbashkëta, në mënyrë që të rriten edhe kapacitetet profesionale të punonjësve të dy institucvioneve në trajtimin e shumë cështjeve që lidhen me mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të njeriut.
“Marrëdhëniet tona me Avokatin e Popullit të Kosovës janë prioritet, dhe një tjetër objekt i joni i përbashkët është edhe anëtarësimi me të drejta të plota në organizatat rajonale dhe ndërkombëtare të Avokatit të Popullit të Kosovës, sic ishte edhe lobimi i suksesshëm për anëtarësimin me të drejta të plota në AOMF. Nga ana e tij, z. Jashari vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm duke shprehur mirënjohjen për anëtarësimin në Organizatën e Ombudsmanëve të Mesdheut të Avokatit të Popullit të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite në Tiranë, Avokati i Popullit të Kosovës, z. Hilmi Jashari i shoqëruar nga z. Igli Totozani zhvilloi takime edhe me Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë z. Ilir Meta, Ministrin e Drejtësisë, z. Ylli Manjani, si dhe me Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, z. Bashkim Dedja.
Një tjetër takim i rëndësishëm ishte edhe ai me Bordin Këshillimor pranë Avokatit të Popullit, i cili përbëhet nga përfaqësues të Shoqërisë Civile me një rol aktiv në zhvillimet e institucionit që monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri.
(*Lajmi i huazuar nga ueb faqja e Avokatit të Popullit të Shqipërisë)