Informatë lidhur me të drejtat nga marrëdhënia e punës

20/04/2016

Në tryezën e mbajtur sot, me temën “Diskriminimi në punë dhe në lidhje me punën”, të organizuar nga Avokati i Popullit, me mbështetjen e Këshillit të Evropës, është diskutuar bashkë me palë përgjegjëse nga Parlamenti, gjyqësori, qeveria, sindikatat etj., mbi shkeljet dhe diskriminimin në çështje të marrëdhënies së punës, me theks të veçantë në sektorin privat.

Ligji për Avokatin e Popullit, Ligji për Barazi Gjinore dhe Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi,  që kanë hyrë në fuqi  në korrik të vitit 2015, përbëjnë pakon ligjore të të drejtave dhe lirive të njeriut. Këto ligje, i kanë shtuar  kompetenca dhe përgjegjësitë të reja ligjore Avokatit të Popullit,  me theks të veçantë Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi, i cili vë tek Avokati i Popullit edhe përgjegjësinë e trajtimit të rasteve që kanë të bëjnë me diskriminimin.

Zbatimi i Ligjit të Punës dhe në përgjithësi çështjet që kanë të bëjnë me marrëdhënien e Punës mbeten komplekse dhe përfshijnë më shumë se vetëm të drejtën e punës. Në mungesë të një baze unike ligjore, e cila do të rregullonte funksionimin e inspektorateve në tërësi, përfshirë këtu nivelin qendror dhe lokal, mbikëqyrja e kësaj çështjeje mbetet e shkëputur edhe në aspektin ligjor, edhe në aspektin e administrativ, e së këndejmi lë të shpërndara dhe pa vëmendjen e nevojshme institucionale, shkeljet që bëhen në çështje që drejtpërdrejtë apo tërthorazi lidhen me marrëdhënien e punës, veçmas në sektorin privat.

Bazuar në rastet që paraqiten tek Avokati i Popullit, ashtu siç edhe në të dhënat publike, qoftë mediale, qoftë institucionale, problemet që lidhen me marrëdhënien e punës janë të shumta, e veçmas në sektorin privat.

Numër i konsiderueshëm i punëtorëve në sektorin privat nuk kanë kontrata pune, gjë që paraqet shkelje ligjore dhe pasiguri të vazhdueshme në punë, duke shtuar frikën e punëtorëve për largim nga vendi i punës, pa procedura dhe pa mundësi ankese. Kjo konsiderohet  ndër arsyet kryesore pse punëtorët në sektorin privat nuk bëjnë denoncime apo nuk dëshmojnë haptas lidhur me shkeljet që ju bëhen nga punëdhënësi.

Mungesa e kontratave të punës paraqet shkelje të Ligjit të Punës Nr. 03/L-212, i cili rregullon çështjen e  Kontratës së Punës. Neni 10, pika 1 e këtij Ligji, përcakton qartë se: Kontrata e punës lidhet në formë të shkruar dhe nënshkruhet nga punëdhënësi dhe i punësuari. […]”.

Mungesa e kontratave, për pasojë cenon edhe nenin 7, pika 4, të Ligjit të Punës, ku thuhet:Për pagesën e kontributeve dhe detyrimeve tjera ligjore, punëdhënësi është i detyruar që të punësuarin ta lajmërojë në Administratën Tatimore të Kosovës, institucionet e tjera të cilat i menaxhojnë dhe administrojnë skemat e obligueshme pensionale dhe skemat e tjera të obligueshme”.

Avokati i Popullit konsideron se kjo e drejtë u shkelet punëtorëve në sektorin privat, sepse shumica nga ta nuk janë të lajmëruar në Administratën Tatimore e as në Trustin Pensional dhe për pasojë nuk realizohet pagesa e taksave dhe kontributit pensional.

Punëdhënësit në sektorin privat, në masë të madhe, nuk respektojnë Ligjin e Punës  edhe kur është në pyetje orari i punës. Në sektorin privat, punonjësit janë të detyruar të punojnë aq sa e punëdhënësi e konsideron se përmbushen kërkesat e tij si pronar, pa respektuar orar pune apo kufizime kohore të punës jashtë orarit dhe pa kurrfarë kompensimi të orëve shtesë të punës, përkundër faktit se Ligji i Punës, në nenin 20,  pika 1, saktëson: “Orari i plotë i punës zgjat dyzet (40) orë në javë, nëse me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe.”

Kurse neni 23, paragrafi 1, i po këtij Ligji, qartëson limitet kohore të punës shtesë, në rast të rritjes së vëllimit të punëve: Në raste të jashtëzakonshme, me rritjen e vëllimit të punëve dhe në raste të tjera të domosdoshme, me kërkesën e punëdhënësit, punëtori duhet të punojë me gjatë se orari i punës (puna jashtë orarit), më së shumti deri në tetë (8) orë në javë”.

Përderisa, paragrafi 2, i po të njëjtit nen, thotë: Puna më e gjatë se orari i plotë i punës, në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni, mund të zgjasë vetëm për aq kohë sa është e domosdoshme.”

Gjithashtu, Ligji i Punës e rregullon edhe çështjen e pushimeve, që respektohen pak në sektorin privat. Ka punëdhënës që i obligojnë punëtorët të punojnë gjatë gjithë javës, pa përjashtuar fundjavën. Çështja e pushimit javor është  e rregulluar po ashtu me Ligjin e Punës, nenin 31, sipas të cilit: I punësuari ka të drejtë në pushim javor në kohëzgjatje prej së paku njëzetekatër (24) orë pandërprerë”.

Në anën tjetër, e drejta për pushim vjetor është përcaktuar në nenin 32 të Ligjit të Punës: 1.“I punësuari gjatë çdo viti kalendarik ka të drejtë për pushim vjetor të paguar në një kohëzgjatje prej së paku katër (4) javë, pavarësisht a punon me orar të plotë apo të shkurtuar”. dhe 2. Zgjatja e pushimit vjetor përcaktohet varësisht nga stazhi i punës, ku për çdo pesë (5) vite të përvojës së punës, shtohet një ditë pune.”

Në shumë raste në sektorin privat, punëtorët lejohet të shfrytëzojnë pushimin vjetor, vetëm atëherë kur kolegët e tyre i zëvendësojnë, përndryshe ata privohen nga planifikimi vetjak i shfrytëzimit të ditëve të pushimit vjetor. Po ashtu, ka shumë punëtorë që punëdhënësi nuk i lejon të shfrytëzojnë pushimin vjetor ose atë mjekësor. Ka shumë raste që, në gjendje të rënduar shëndetësore, punëtorët duhet të shkojnë në punë, ose, në të kundërtën, ata largohen nga puna, pa kurrfarë arsyetimi.

Jashtëzakonisht e ndjeshme dhe me predispozitë të shkeljeve evidente, është edhe çështja e pushimit të lehonisë. Neni 49 i Ligjit të Punës, rregullon çështjen e pushimit të lehonisë: ”Femra e punësuar gëzon të drejtën prej 12 muajve, të pushimit të lehonisë”, për të saktësuar më tutje se për 6 muajt e parë të pushimit të lehonisë pagesa bëhet nga punëdhënësi me kompensim 70% të pagës bazë, kurse për 3 muajt në vijim, pushimi i lehonisë paguhet nga Qeveria e Kosovës me kompensim 50% të pagës mesatare në Kosovë, duke e lënë mundësinë për zgjatjen e pushimit të lehonisë edhe për 3 muaj të tjera pa pagesë.

Po ashtu, në shumicën e rasteve në sektorin privat, nuk respektohet edhe pushimi vjetor në ditët e festave zyrtare, i cili, bazuar në nenin 34 të Ligjit të Punës, precizon: 1. “Festat zyrtare që bien në ditë pune, sipas Ligjit për Festat Zyrtare në Republikën e Kosovës, nuk llogariten ditë të pushimit vjetor”. 2. “Nëse i punësuari gjatë kohës së shfrytëzimit të pushimit vjetor sëmuret, koha e pushimit të lejuar mjekësor, nuk llogaritet në pushim vjetor”.

Problemet nga marrëdhënia e punës, siç janë: mungesa e kontratave të punës , mosrepsektimi i të drejtës në pushim ditor, javor, vjetor, të lehonisë, siguria në punë, diskriminimi sa i përket pagave etj., paraqiten kryesisht si pasojë e evazionit të lartë fiskal (ekonomisë informale, ikjes nga tatimet), me qëllim të përfitimit të punëdhënësit.

Masat e ndërmarra nga institucionet shtetërore  kompetente,  në radhë të parë nga Inspektorati i punës, lidhur me evitimin e shkeljeve, janë të pamjaftueshme dhe në shumë raste vendimet e tyre nuk respektohen nga sektori publik e privat. Kjo gjë e zbeh veprimin  e funksionimit të shtetit ligjor në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në fushën e punësimit.

Këtë gjendje e rëndojnë vështirësitë që kanë të punësuarit  në mbrojtjen e të drejtave  që dalin nga marrëdhënia e punës, për shkak te joefikasitetit të gjyqësorit, ku lëndët zvarriten me vite derisa marrin vendime përfundimtare.

Po ashtu, përballë shqetësimeve që kanë të bëjnë me lënien pas dore të të drejtave të punëtorëve, shëndetit dhe sigurisë në punë, është jashtëzakonisht e rëndësishme që sektori privat ta shoh veten si palë e rëndësishme përkitazi me respektimin e të drejtave të njeriut. Sektori privat duhet të krijojë mundësi për të trajtuar ankesat e punonjësve brenda bizneseve private.

Në anën tjetër, sado që shteti nuk mbahet përgjegjës për shkeljet e bëra nga bizneset private, mbetet nën jurisdiksionin e shtetit që të ndërmarrë masa për parandalimin, ndëshkimin dhe rivendosjen e të drejtave të cenuara dhe shkeljeve për të cilat është apo vihet në dijeni. Në veçanti, shteti duhet të sigurojnë qasjen në mekanizmat e gjyqësorit, ashtu siç edhe në mekanizmat jo gjyqësor, për një zgjidhje efektive të rasteve të paraqitura.

Duke marrë për bazë gjithë sa u tha më lartë dhe mbi bazën e diskutimeve në Tryezën e organizuar nga Avokati i Popullit, mbështetur nga Këshilli i Evropës, më datë 20 prill 2016, me temën “ Diskriminimi në punë dhe në lidhje me punën”, rekomandohet me sa vijon:

  1. Me qëllim të zbatimit të legjislacionit në lëmin e punës, Avokati i Popullit rekomandon Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, që përmes agjencive  dhe organeve te saja për zbatimin e ligjit, të merr masa kontrolluese në sektorin publik dhe privat, që të zbatohet ligji dhe të respektohen të drejtat e të punësuarve në tërësi.
  2. Inspektorati i punës të fuqizohet me resurse humane, në mënyrë që të arrijë të mbikëqyrë plotësisht çështjet e marrëdhënies së punës, përfshirë diskriminimin.
  3. Gjyqësori të respektojë sistemin juridik në vend dhe t’i trajtojë me prioritet të gjitha kontestet nga lëmi i punësimit. Vonesat kohore  në trajtimin e këtyre rasteve vazhdojnë të ndikojnë në shkeljen e të drejtave të të punësuarve, por edhe të shkaktojnë dëme financiare, qoftë në sektorin privat, qoftë në atë publik, ashtu siç edhe vonesat me vite të vendimeve, që krijojnë vështirësi në zbatimin e tyre.
  4. Partnerët nënshkrues të kontratës kolektive të angazhohen për jetësimin e saj në praktikë, për të siguruar aspektin e të drejtave të njeriut dhe sigurinë e mirëqenien e punonjësve.
  5. Ndërgjegjësimin lidhur me të drejtat nga marrëdhënia e punës, veçanërisht të grupeve të margjinalizuara, me qëllim parandalimin e diskriminimit, identifikimin e rasteve të cenimit të të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe vënien e drejtësisë në vend, në rastet ku diskriminimi dhe shkeljet nga marrëdhënia e punës janë të pranishme.