Avokati i Popullit i dorëzoi Kuvendit të Republikës së Kosovës Raportin e Pesëmbëdhjetë Vjetor

31/03/2016

Prishtinë, më 31 mars 2016 – Bazuar në nenin 135, paragrafi 1, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 29, paragrafi 1 dhe 2, të Ligjit për Avokatin e Popullit, Institucioni i Avokatit të Popullit (IAP), i ka dorëzuar sot Kuvendit të Republikës së Kosovës, Raportin e pesëmbëdhjetë vjetor, i cili paraqet gjendjen e të drejtave të njeriut, gjatë vitit 2015.

Raportimi vjetor i IAP-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është një mundësi e mirë për të reflektuar mbi ndikimin që ka Avokati i Popullit, si mekanizëm i pavarur, në kontrollimin e punës dhe shërbimeve të autoriteteve publike kundrejt qytetarit, efektivitetin e shërbimeve dhe shfrytëzimin e mjeteve juridike, respektimin e procedurave administrative,  përmirësimin e administrimit dhe llogaridhënien.

Avokati i Popullit pret nga Kuvendi i Republikës së Kosovës që të shqyrtojë Raportin vjetor në seancë plenare, gjatë sesionit pranveror, ashtu siҫ e parasheh neni 29, paragrafi 3, i Ligjit të Avokatit të  Popullit.