Avokati i Popullit publikoi Raportin me rekomandime lidhur me kufizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike

17/03/2016

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Raportin me rekomandime A 348/2015, lidhur me kufizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike.

Qëllim i këtij raporti është tërheqja e vëmendjes Komunës së Fushë Kosovës lidhur me ankesën e znj. A. G., lidhur me kufizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike, si dhe obligimin kushtetues të autoriteteve publike në vend për bashkëpunim me Institucionin e Avokatit të Popullit.

Kompetenca ligjore e Avokatit të Popullit bazohet në nenin 18.1.2 të Ligjit Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, që: “Të tërheqë vëmendjen për rastet kur institucionet e Republikës së Kosovës i shkelin të drejtat e njeriut dhe të bëjë rekomandim që t’u jepet fund rasteve të tilla dhe kur është e domosdoshme të shprehë mendimin e vet mbi qëndrimet dhe reagimet e institucioneve përkatëse në lidhje me rastet e tilla”.

Po ashtu, Neni 135, paragrafi  3 i Kushtetutës së vendit, i jep të drejtë Avokatit të Popullit  “[…] të bëjë rekomandime dhe të propozojë masa, nëse vëren shkelje të të drejtave dhe lirive të njeriut nga ana e organeve të administratës publike dhe organeve të tjera shtetërore.”

Avokati i Popullit, bazuar në  analizën e legjislacionit, në Raportin në fjalë thekson se e drejta e qasjes në dokumente publike është e drejtë e garantuar me nenin 41 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Paragrafi 1 këtij neni, definon se “Secili person gëzon të drejtën të qasjes në dokumente publike”, përderisa paragrafi 2, i po të njëjtit nen të Kushtetutës, përcakton se “Dokumentet që mbajnë institucionet publike dhe organet e pushtetit shtetëror, janë publike, me përjashtim të informacioneve që janë të kufizuara me ligj, për shkak të privatësisë, të sekreteve afariste ose të informacioneve të klasifikuara të sigurisë”.

Fryma e nenit 41 të Kushtetutës së Kosovës, është përcjellë edhe në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike Nr. 03/L-215, sipas të cilit: “Ky ligj garanton të drejtën e secilit person fizik dhe juridik, pa diskriminim mbi çfarëdo baze, për të pasur qasje, pas kërkesës, në dokumentet e mbajtura, hartuara apo pranuara nga institucionet publike”. Po ashtu, Neni 9.1, i Ligjit Nr. 02/L-28 Për Procedurën Administrative, ashtu siç edhe Udhëzimi Administrativ Nr. 05/2013, për Transparencë në Komuna, janë në funksion të forcimit të transparencës dhe të drejtës për t’u informuar.

Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, po ashtu, garanton “Lirinë e kërkimit, marrjes dhe përhapjes së informacionit dhe ideve me çfarëdo mjetesh, pa marrë parasysh kufijtë” siç edhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila parasheh në nenin 10 të saj, se “Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë.”. Në anën tjetër, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, thekson edhe, se, vonesat në dhënien e informatës mund t’i heqin në mënyrë të vazhdueshme, apo të gjithë vlerën informatës dhe interesimin lidhur me të.

Avokati i Popullit, vëren po ashtu, se, sikurse Kushtetuta e Kosovës, po ashtu edhe Konventa Evropiane, të drejtën për të marrë apo dhënë informacion e parashohin si një të drejtë e cila nuk është absolute dhe kufizimi i kësaj të drejte mund të bëhet për arsye të caktuara.

Në rastin në fjalë, Komuna e Fushë Kosovës ka dështuar të ofrojë dëshmitë apo provat  që arsyetojnë refuzimin e kërkesave për qasje në dokumentet e kërkuara nga znj. A.G. Po ashtu, Komuna e Fushë Kosovës është përgjigjur në njërën nga kërkesat e parashtruara, po me vonesë, ashtu siç përgjigja nuk ka përmbajtur këshillën për shfrytëzimin e mjeteve juridike, ashtu sikurse parashihet në Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Avokati i Popullit, duke pasur parasysh se “Vetëm ligji ka autoritetin për përcaktimin të drejtave dhe detyrimeve për personat juridik dhe fizik”, si dhe duke u bazuar në faktet e poseduara, konstaton se mos përgjigja e Komunës së Fushë Kosovës, përkitazi me kërkesën e e palës dhe përgjigja jo e plotë në kërkesë, janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit Nr. 03/L-215 për Qasje në Dokumente Publike.

Prandaj, me qëllim të përmirësimit të respektimit të së drejtës për qasje në dokumente publike si e drejtë kushtetues dhe ligjore, në mënyrë që qytetarët të shfrytëzojnë këtë të drejtë, si mjet të fuqishëm për kontrollin e punës së organeve të pushtetit, e që do të ndikonte në përmirësimin e punës së organeve shtetërore dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënien, Avokati i Popullit, në pajtim me nenin 135, paragrafi 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nenin 27, Ligji Nr. 05/L-019 për Avokatin e Popullit, Avokati i Popullit, rekomandon:

  • Komunën e Fushë Kosovës, që palës t’i mundësojë qasje në dokumentet e kërkuara, në përjashtim të informacioneve që janë të kufizuara me ligj, për shkak të privatësisë, të sekreteve afariste ose të informacioneve të klasifikuara të sigurisë.
  • Komuna, të ndërmarrë hapa për ngritjen e kapaciteteve të zyrtarëve publikë, lidhur me zbatimin Ligjit për Qasje në Dokumente Publike, si dhe të Ligjit për Avokatin e Popullit.

Raporti i plotë i Avokatit të Popullit lidhur me Ankesën nr. 348/2015 lidhur me kufizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike, i është drejtuar më 14 mars 2016, Komunës së Fushë Kosovës.

Në pajtim me nenin 132, paragrafi 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 28 të Ligjit për Avokatin e Popullit nr. 05/L-019, Avokati i Popullit pret të informohet për veprimet që do të ndërmarrë komuna e Fushë Kosovës lidhur me këtë çështje, si përgjigje ndaj rekomandimeve të lartcekura, brenda një afati të arsyeshëm ligjor, më së largu brenda tridhjetë (30) ditë nga dita e pranimit të Raportit lidhur me rastin.

Raportin me rekomandime për Ankesën nr. 348/2015, në formën e tij të plotë, ashtu siç u është përcjellë autoriteteve përgjegjëse, e gjeni të publikuar këtu në ueb faqen zyrtare të IAP-së. I njëjti, gjithashtu u është shpërndarë mediave.